Ilustrim: Ngushtica Hormuz - REL

Trump vë në dyshim armëpushimin në luftën me Iranin për shkak të vazhdimit të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit

Armëpushimi i brishtë ndërmjet SHBA-së dhe Iranit po manifestohet me tensione të mëtejshme edhe të premten (10.04.2026), një ditë para se delegacionet nga të dy vendet të takohen në Pakistan, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar Teheranin për shkelje të premtimeve për Ngushticën e Hormuzit dhe Izraeli goditi Libanin me sulme që Irani pretendon se shkelin armëpushimin, raporton gazeta “The Guardian”.

Trump ka shkruar në një postim në mediat sociale të enjten vonë (09.04.2026) se Irani po bën një “punë shumë të dobët” kur vjen puna te kalimi i naftës nëpër ngushticë. “Kjo nuk është marrëveshja që kemi arritur!”

Nuk ka asnjë shenjë se Irani po heq bllokadën pothuajse totale të ngushticës, e cila ka shkaktuar ndërprerjen më të keqe të furnizimeve globale me energji. Teherani ka përmendur sulmet e vazhdueshme të Izraelit ndaj Libanit, të cilat përfshinin sulmet më të rënda të luftës të mërkurën, si pikë kyçe ngërçi.

Në 24 orët e para të armëpushimit, të cilin Trump e shpalli të martën, vetëm një tanker i produkteve të naftës dhe pesë transportues të mallrave me shumicë lundruan nëpër ngushticë, nëpër të cilën zakonisht transportohet një e pesta e qarkullimit botëror të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm dhe 140 anije në ditë para luftës.

Trump ka thënë se është “shumë optimist” se një marrëveshje paqeje me Iranin është e arritshme, ndërsa një delegacion diplomatik i udhëhequr nga zëvendëspresidenti i tij, JD Vance, përgatitet të shkojë në Pakistan për bisedime me rrezik të lartë që synojnë t’i japin fund luftës këtë fundjavë. Udhëheqësit e Iranit “flasin shumë ndryshe kur je në një takim sesa me shtypin. Ata janë shumë më të arsyeshëm”, ka theksuar presidenti amerikan, në përputhje me narrativën e administratës së tij se ekziston një hendek midis asaj që thotë Teherani publikisht dhe privatisht.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com