A member of the Special Police Force of Tuzla Canton. Photo: MUP TK.

Tre të vdekur nga të shtënat në Bosnje, i armatosuri transmetoi drejtpërdrejt vrasjen e një gruaje

Tre persona janë konfirmuar të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në qytetin boshnjak Gradacac pasi një burrë transmetoi drejtpërdrejt të shtënat ndaj një gruaje në platformën sociale Instagram.

Derisa, nga informatat e fundit bëhet e ditur se dorasi ka kryer vetëvrasje.

Mediat raportojnë se një operacion i madh policor është nisur në Gradacac, qytet i vogël në veri-lindje të Bosnjës dhe Hercegovinës, ku një burrë transmetoi drejtpërdrejt veten duke qëlluar një grua të premten në mëngjes dhe më pas pretendoi se kishte vrarë disa njerëz.

Sipas raportimeve të mediave boshnjake, burri filloi transmetimin e drejtpërdrejtë në Instagram duke thënë se shikuesit “do të shohin se si duket një vrasje e drejtpërdrejtë” dhe më pas mori një armë dhe qëlloi gruan.

Më pas ai tha në Instagram se kishte vrarë disa persona dhe kishte tentuar të shënjestronte një oficer policie.

“Kam qëlluar mbi një oficer policie, por ai shpëtoi. Ai u arratis me një Skoda dhe unë nuk arrita ta arrij me BMW-në time”, tha ai.

Zyra e Prokurorit të Kantonit të Tuzllës konfirmoi për Klix.ba se të paktën tre persona janë vrarë dhe disa janë plagosur.

Policia e Kantonit të Tuzllës tha se po përpiqen të kapin sulmuesin, i cili sipas tyre quhet Nermin Sulejmanoviç.

“Në Gradacac janë raportuar të shtëna me armë zjarri gjatë të cilave raportohet se, sipas informacioneve fillestare janë lënduar disa persona. Përpjekjet intensive janë duke u zhvilluar për të gjetur individin,” tha policia e Kantonit të Tuzllës.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve në Gradacac që të reduktojnë aktivitetet jashtë dhe të qëndrojnë në shtëpi.

Gjatë shtatë viteve të fundit, gjithsej 60 gra kanë humbur jetën nga dhuna në Bosnje dhe Hercegovinë, me tetë raste vetëm në vitin 2022.

Shifra potencialisht mund të jetë më e lartë për shkak të mungesës së statistikave zyrtare mbi femicidet në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Përgatiti: Ardita Zeqiri