Rada Trajkoviq - Foto: RTK

Trajkoviq ende në Merdarë, thotë se iu konfiskuan dokumentet

Politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq dje gjatë ditës ka thënë se është ndaluar në pikën kufitare në Merdarë nga policia serbe.

Sipas saj, dokumentet i janë marrë dhe nuk po lejohet të hyjë në Kosovë.

Në pikë-kalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, ajo thotë se po qëndron që 12 orë.

“12 orë në linjë administrative rrugës nga Kosova. Pa ushqim, pa ujë, pa ilaç, pa arsye. Gjithë natën, në mes të dimrit, në makinë” – deklaroi Trajkoviq në rrjetin social Twitter.

“Dokumentet e konfiskuara, pa komunikim. A do të reagojë dikush ndaj kësaj torture?” – ka shkruar ajo.

Ditë më parë, Rada Trajkoviq u emërua këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Sot, në një konferencë për media foli edhe vetë Rashiq. Ai kërkoi nga ekzekutivi që t’i shkruaj vendeve të QUINT-it për lirimin e këshilltares së tij, Rada Trajkoviq.

“Dje këshilltarja ime duke ardhur nga drejtimi i Beogradit në Merdarë është ndaluar 4 orë, ajo ka pasur takime të caktuara edhe me ambasadorin Hovienir, ajo prapë është ndaluar dhe ajo ende është duke u mbajtur e ndaluar, ajo ka diabet dhe që 15 orë e mbetur atje, ia kanë marrë dokumentet dhe ajo pret. Dëshiroj të ju lus nëse është e mundur qysh sot nga kabineti të dërgoni një shkresë QUINT që të bisedojnë më Beogradin sepse janë i brengosur për shkak të gjendjes shëndetësore”- ka thënë Rashiq sot në mbledhjen e Qeverisë.

Lidhur me këtë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se përmes zyrës në Beograd janë marrë hapat për informim të zyrës së BE-së.

“Me të marrë informacionin, përmes zyrës në Beograd kemi marrë hapat zyrtar për informim e zyrës së BE-së, zyra jonë është aktive në përpjekje për të siguruar lëvizje unë e di që është ambasadat janë në lëvizje dhe besoj që është një kohë e shkurtër që Trajkoviq të mund të lëvizë”- ka thënë Gërvalla.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të shoh çfarë mund të bëj sot për t’ia mundësuar Trajkoviqit hyrjen në Kosovë.

 

Ndalimi i Rada Trajkoviqit në Merdarë, Rashiq kërkon nga Qeveria e Kosovës t’i shkruajë QUINT-it

www.kallxo.com