'Thirrjani policinë, le të del jashtë' - Përplasje e ashpër në Kuvend për grevën e minatorëve

Janë përplasur në mes vete deputetët e opozitës me përfaqësuesin e Ministrisë së Ekonomisë, Valon Prebreza, në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi në të cilën po raportojnë përfaqësues të minatorëve të Trepçës që janë në grevë.

Përplasja ndodhi pasi që përfaqësuesi i ministrisë që është nga Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike e ‘demantoi’ deputetin Pal Lekaj, duke thënë se ministrja Artane Rizvanolli është në udhëtim zyrtar, e jo në Kosovë.

“Mua nuk më takon të ndërhyjë në debat politik, por duhet të thuhet e vërteta. Z. Lekaj e tha një të pavërtetë të madhe, që ministrja është në Kosovë. Nuk është e vërtetë, ajo është në udhëtim jashtë iu garantoj për këtë” – tha Prebreza.

Kjo ka nxitur reagimin e deputetit Lekaj.

“Më fal zotëri më së pari. Unë thash kam informacion edhe nuk ke nevojë me mu drejtu ashtu” – tha Lekaj.

Debati ka vazhduar më tutje në mes të Prebrezës dhe deputetëve të opozitës Abelard Tahiri, Valentina Rexhepi Bunjaku dhe Pal Lekajt.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi ka kërkuar nga kryesuesi Ferat Shala që ta thërras Policinë dhe ta largoj nga salla Prebrezën.

Sindikalistë të ‘Trepçës’  janë duke raportuar në lidhje me grevën e tyre, në Kuvendin e Kosovës.

VIDEO – Rrëfimi nën lot i minatorit të ‘Trepçës’ para deputetëve