Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Greva në 'Trepçë', Lekaj - Rizvanollit: Me qenë në pozitën tënde, unë kisha kajtë sot

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka kritikuar fort ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ai ka thënë se gjendja në “Trepçë” është e rëndë. Tutje, deputeti i AAK-së tha se qasja e menaxhmentit ndaj grevistëve, ka qenë që ata të frikësohen.

“A ka më poshtërësi që të atakohen sindikalistët dhe të frikësohen pse po doni me dhunë me i nxjerrë grevistët nga greva dhe tani si do të shqyrtoni ato vendime, nuk guxoni të luani me vendime, nëse kanë qenë të padrejta, kryeshefi duhet me shku në burg bashkë me Bordin”- tha Pal Lekaj në Komisionin për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës të martën.

Sipas ish-ministrit të Infrastrukturës, gjendja është e rëndë në ndërmarrjen metalurgjike, sa po të ishte në vend të Rizvanollit do të qante.

“Më besoni, kur i kam pa ato rroba, ato rroba, me të ardh mjerim prej tyre, ke me thënë që jeni kanë 20 vjet, ato e dimë e kemi mësuar përmendsh. Po çfarë po bëni ju? Nuk është për me qesh ministre, duhet me kajtë… me qenë në pozitën tënde, unë kisha kajtë sot”- tha Lekaj.

Kritikave të deputetit të AAK-së iu përgjigj ministrja, Artane Rizvanolli.

Ajo tha se ministria që drejton ka ndarë subvencione për “Trepçën”.

“Nuk po qeshi me kërkesat e minatorëve por me deklarimet e juaja. Sa i përket suspendimit të punëtorëve nuk janë suspenduar nga menaxhmenti pas marrëveshjes dhe pas daljes nga greva. Ky ka qenë një vendim i datës 2 nëntor, por të nesërmen e kanë pranuar punëtorët”- tha ministrja Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi.

“Unë nuk kam pas nevojë si ministre me qenë prezente aty që të jepen subvencionet. Në ora 10:00 të natës e ka nënshkruar zëvendësministri vendimin për ta ndarë subvencionin. Siç ka qenë edhe zotimi jonë ndaj punëtorëve dhe ndërmarrjes…”- tha ajo.

Minatorët e “Trepçës” në Stan Tërg kanë protestuar duke grevuar për 10 ditë me radhë.