Thaçi tregon për takimin me Vuçiq, thotë se takimi afron arritjen e marrëveshjes

Presidenti i vendit, Hashim Thaci, në një konferencë për media ka treguar në lidhje me takimin e tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi tha se ky takim ishte thirrur nga Shtëpia e Bardhë me kërkesë të të dërguarit special  të Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Të hënën me 2 mars me kërkesë të Grenell jemi thirrë dhe me prezencë të O’Brien jemi takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ky takim është shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Kreu i shtetit u shpreh se ky takim shënon kthimin e fuqishëm të ShBA-së në rolin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Takimi shënon kthimin e fuqishëm të ShBA në procesin e kërkimit apo mundësisë së arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Në Kosovë të gjithë e kanë kërkuar përkrahjen e plotë dhe prezencën e ShBA-së në këtë proces dhe këtë sot e kemi dhe është hap historik”, tha Thaçi.

“Ky takim po  ashtu është i rëndësishëm sepse tregon edhe gatishmërinë për fillimin e dialogut pas stangimit të tij prej një viti. Takimi në Uashington e lehtëson apo mund ta bëjë të afërta arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai.

Ai po ashtu njoftoi edhe për takimet e tjera në Uashington.