Thaçi e uron Shqipërinë për marrjen e kryesimit të OSBE-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka uruar Shqipërinë për marrjen e kryesimit të udhëheqjes së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Thaçi përmes një postimi në Twitter ka thënë se shpreson që të punojnë bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për të forcuar demokracinë.

“Urime Shqipërisë për marrjen e kryesisë së OSBE-së për vitin 2020. Ne shpresojmë që të punojmë me kryeministrin Edi Rama për të çuar përpara misionin tonë të përbashkët për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. I lumtur të shoh listën gjithëpërfshirëse të prioriteteve që i japin përparësi paqes dhe pajtimit”, ka shkruar presidenti.

Shqipëria e ka marrë sot zyrtarisht kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Në ngjarjen që u mbajt në Vjenë të Austrisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë prezantimin e programit dhe përparësitë e shtetit shqiptar në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së.

Rama mes tjerash ka theksuar, se respektimi i të drejtave të njeriut, parandalimi i përshkallëzimeve të konflikteve, si dhe përqendrimi për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, janë objektivat e Shqipërisë gjatë kryesimit të kësaj organizate.

OSBE-ja është organizatë e sigurisë, pjesë e së cilës janë 57 shtete të ndryshme të botës.