Trepça, Foto: KALLXO.com

Kryeshefi i ri i 'Trepçës' zotohet për plotësimin e kërkesave të minatorëve

Bashkim Kurti dje ka filluar punën si kryeshef i ri i ndërmarrjes “Trepça”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë ai, i cili është zotuar se do të krijojnë pavarësi financiare dhe se nuk do të varen nga qeveria për përmbushjen e obligimeve të ndërmarrjes.

“Kena me punu, kena me rrit prodhimin, duhet me kriju pavarësi financiare jo me lyp mbështjeje as mëshirë as prej qeverisë as prej kërkujt. Por me mundësi tonat, me punën tonë me i kry obligimet tona. Qoftë obligime ndaj punëtorëve , qoftë obligime ndaj furnitorëve dhe të tjerëve. Përndryshe nëse ndërmarrja ‘Trepça’ funksionon nën mëshirën e të tjerëve apo mbështjetjen e vazhdueshme të qeverisë atëherë pse duhet të jetë realisht”- ka thënë Kurti.

Ndërsa sa i përket kërkesave të minatorëve për realizim në kohë të pagave dhe ekzekutimin e pagës së plotë, të cilat kanë qenë të pranishme pothuajse gjatë gjithë vitit, Kurti thotë se do ta bëjë  më të mirën e mundshme.

“Unë veç di me premtu që do ta bëj më të mirën e mundshme që secilën kërkesë të punëtorëve me e adresu ashtu siç e meriton. Por normalisht do të kërkoj prej minatorëve me i kry obligimet e veta të cilat i kanë dhe për të cilat paguhen”- ka thënë kryeshefi.

Bashkim Kurti është zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes “Trepça” me 12 janar. Mirëpo sipas tij arsyeja se pse dje ka filluar punën  ka të bëjë me obligimet që i patur  ndaj institucionit ku ka qenë i punësuar më parë. P

Ai për 27 muaj ka qenë kryeshef i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

Në anën tjetër, Enis Abdurrahmani, ka qenë ushtrues detyre i kryeshefit të “Trepçës” për më shumë se dy vite. Në shtator të vitit të kaluar Abdurrahmani ishte shkarkuar nga bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes.

“Për shkak te mospërmbushjes së detyrave të punës, neglizhencës dhe keqmenaxhimit Bordi Mbikëqyrës i “Trepça”, Sh. A. vendosi njëzëri të shkarkojë nga detyra e U.D. Kryeshefit të “Trepça”, Sh. A. z. Enis Abdurrahmani” – thuhej asokohe në njoftim.

Pak para se të shkarkohej nga Qeveria, Bordi i ‘Trepçës’ shkarkoi kryeshefin, Enis Abdurrahmani