ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com

Të burgosurit do përfshihen në programe për krijim të muraleve artistike brenda institucioneve korrektuese

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) dhe artistë të “Mural Fest Kosova” do të ofrojnë trajnime për të burgosurit, duke i përfshirë në proces kreativ dhe edukativ në krijimin e muraleve brenda institucioneve korrektuese.

SHKK përmes një njoftimi bëri të ditur se drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, dhe drejtoresha e “Mural Fest Kosova”, Lebibe Topalli, sot kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi  me përkushtimin për ndërtim të një bashkëpunimi të qëndrueshëm në fushën e artit dhe rehabilitimit të të burgosurve.

SHKK tutje thekson se përfshirja e të burgosurve në krijimin e muraleve synon të krijojë ambient sa më pozitiv brenda institucioneve korrektuese, duke ndihmuar kështu edhe në rehabilitimin e tyre, dhe rikthimin në shoqëri me aftësi krijuese dhe artistike.

“Mural Fest Kosova” promovon kulturën artistike përmes dizajneve të shumta nëpër qytete të Kosovës.