
Burgu i Gjilanit | Foto: KALLXO.com
Qeveria miraton traktakin me Danimarkën për shfrytëzimin e qelive në burgun e Gjilanit
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
Përmes këtij votimi, kjo marrëveshje i dërgohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim.
Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Qeveria e Kosovës, konkretisht ministria ka zhvilluar negociatat, pastaj është nënshkruar traktati, qëllimi është forcimi i marrëdhënieve në mes të këtyre dy vendeve. Traktati reflekton standardet ndërkombëtare, ky traktat prek të drejtat e njeriut prandaj kërkohet të procedohet në Kuvend”- ka thënë ajo.
Kosova nuk e ka ratifikuar ende Traktatin për strehimin e qindra të burgosurve nga Danimarka, edhe pse dokumenti për këtë qëllim parasheh që transferimi i tyre të bëhej në tre muajt e parë të këtij viti.
Dy vendet kanë nënshkruar letër-pëlqimin për dërgimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në prill të vitit të kaluar, dokumenti është shndërruar në traktat.
Traktati, i cili ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh, parasheh që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit, ndërsa Kosova, në këmbim, të përfitojë mbi 200 milionë euro.