Windows 11 do të mbetet pa WordPad, Cortana dhe aplikacione të tjera

Në përditësimin e ri për Windows 11, nuk ekziston më aplikacioni legjendar i Microsoft WordPad, “eksperienca” afatgjate e të cilit më në fund ka përfunduar.

Në vend të Windows 12 të ri, këtë vit përdoruesit do ta marrin një përmirësim të ri në Winows 11 aktual. Ky përmirësim do të sjellë një sërë funksionesh dhe përmirësimesh të reja, por do ta largojë një aplikacion që ka qenë pjesë e sistemit operativ të Microsoft që nga Windows 98.

Bëhet fjalë për aplikacionin WordPad, i cili pas shumë vitesh shërbimi ndaj përdoruesve nuk do të jetë më i disponueshëm. Nëse po pyesni veten pse Microsoft vendosi të heqë aplikacionin pas 28 vitesh, përgjigja mund të jetë se kompania dëshiron t’i drejtojë përdoruesit te Microsoft Word dhe Windows Notepad.

“Ne rekomandojmë Microsoft Word për dokumente me tekst të pasur si .doc dhe .rtf dhe Notepad për dokumente .txt” njoftoi kompania.

Raportet e mëparshme lanë të kuptohet për heqjen e WordPad, dhe Microsoft tani ka konfirmuar se aplikacioni po shkon në histori.

Megjithatë, WordPad nuk është i vetmi që e ka pësuar këtë fat. Besohet se përditësimi i ri për Windows 11 do të jetë fundi edhe i disa aplikacioneve të tjera, duke përfshirë Cortana, Mail, Calendar, Maps, People dhe Filma & TV./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala