Sveçla: Deklaratat se Kosova ka ngritur gjendje gatishmërie janë propagandë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përgënjeshtruar deklaratat se Kosova ka ngritur gjendje gatishmërie dhe ka thënë se ato janë tërësisht të pavërteta dhe pjesë e propagandës së dyshes Serbi – Rusi.

“Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë.” – ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sveçla ka thënë se Kosova nuk ka qasje agresore e me aspirata pushtuese si Serbia. Por, ka synim paqen e stabilitetin ndërsa Serbia e ka destabilizimin dhe luftën.

Sipas tij, Serbisë po i pengon që Kosova po lufton krimin dhe terrorizmin pasi që ajo ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit.

“Policia e Kosovës është duke zbatuar si kudo në Republikën e Kosovës mandatin e saj ligjor. Ka detyra të përditshme të tyre e jo gatishmëri për luftë. Kjo vlen edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila kryen detyrat e saj të përditshme dhe as që bëhet fjalë për ngritje të gatishmërisë apo angazhim të rezervistëve.” – ka thënë Sveçla.

Serbia siç tha ai po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë edhe viktima në njerëz dhe sipas ministrit kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it.

Këtë ajo po e bën pasi që sipas Sveçlës institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm dhe kjo po i pengon Serbisë.

“Me barrikadat si mjet, Serbia po lufton sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit fqinj, Kosovës, ndërkaq ne jemi të interesuar të luftojmë krimin dhe bandat kriminale, brenda shtetit tonë, të kujtdo qofshin ato. Kurdo që lufta kundër krimit po shpërfaq që ushtrimi legjitim i kompetencave në vendin tonë është në dobi të secilit qytetar pavarësisht etnisë, Serbia me në krye Vuçiqin, po tenton me çdo kusht të cenojë vlerat demokratike që shteti ynë ka promovuar dhe do të vazhdojë të mbrojë.” – ka shtuar ai.

Tekstin ministri e ka përfunduar duke thënë se nuk do të ndalen së mbrojturi vlerat demokratike dhe do të jenë pranë të gjithë qytetarëve pa dallim, pavarësisht tendencave kërcënuese.

Gjatë natës në veri janë vendosur dy barrikada të reja. Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Njëra nga këto barrikada është vendosur në hyrje të qytetit të Mitrovicës së Veriut, tek udhëkryqi i shkollës teknike në Lagjen e Boshnjakëve, ndërsa tjera është vendosur te vendi i quajtur “Kërshi i Dudit” në Zveçan.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se barrikadat e reja janë vendosur gjatë natës nga persona/grupe kriminale.

Që 18 ditë janë vendosur barrikadat në veri si pakënaqësi ndaj arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq. Ai është arrestuar nën dyshimin e organizimi të sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor më 6 dhjetor 2022.

Që para fillimit të vendosjes së barrikadave më 10 dhjetor në veri, janë regjistruar disa incidente me shok-bomba e granata dore, sulme ndaj ekipeve të gazetarëve, patrullës së EULEX-it, gjuajtje me armë në afërsi të ekipit së KFOR-it dhe po ashtu një polic i Kosovës është plagosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e barrikadave derisa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përsëritur disa herë se Kosova ka kapacitete për largimin e barrikadave.

Nga ana tjetër, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se lirimi i serbëve të arrestuar dhe disa kërkesa të tjera të cilat janë drejtuar kryeministrit Kurti, janë kushtet për largimin e barrikadave.

Kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se barrikadat do të largohen nëse formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.