
I akuzuari Zoran Vukotiq - Foto: KALLXO.com
Gjykimi i Zoran Vukotiqit për krimet e luftës në Vushtrri, dëshmitari qan teksa rrëfen momentin e vrasjes së djalit të axhës
Dëshmitari Faton Muli ka qarë në seancën e së enjtes, 19.12.2024, të gjykimit të Zoran Vukotiqit, teksa ka kujtuar momentin e vrasjes së djalit të axhës së tij, për çka ai e bëri fajtor të pandehurin.
Muli e dha dëshminë e tij lidhur me rastin ku i pandehuri Vukotiq po akuzohet për krime lufte sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të datës 23.06.2017.
Në këtë aktakuzë Vukotiq akuzohet se në bashkëkryerje ka vrarë të miturin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13-vjeçare, B.M., në Vushtrri.
Lidhur me këtë rast, dëshmitari Faton Muli tha se 18.04.1999 është datë e tmerrshme për të dhe familjen e tij.
“Kjo datë ka qenë e tmerrshme për mua dhe familjen time. Në atë datë është vrarë B.M., djali i axhës. Kam qenë bashkë më B.M. në datën kur u vra. Siç dihet ka qenë kohë e luftës. Ne u mërzitëm duke ndejtë brenda tërë kohën dhe B.M., në atë datë e mori biçikletën dhe tha hajde dalim ta heqim mërzinë. Kemi hypë bashkë. Unë kam hypë në hekurin përpara. Kemi shkuar në drejtim të varrezave të qytetit. Kemi hyrë në atë rrugën tjetër që ka qenë rrugë pa dalje” – tha dëshmitari Muli.
Tutje, dëshmitari Muli tha se pasi kanë shkuar në fund të rrugës kishin dëgjuar disa krisma të automatikut.
“Kur kemi shku në përfundim të rrugës, kemi dëgju disa krisma të automatikut, Ne jemi frikësuar shumë dhe kemi vazhdu për me u kthy prapë në shtëpi. Në momentin kur jemi dalë në rrugën kryesore aty jemi takuar me tre policë serbë. Në atë moment B.M., e ka ndalë biçikletën, unë kam kërcyer nga biçikleta dhe jam mbështetur në një mur të një lokali dhe B.M., ka tentuar të kthehet prapë në rrugën që ishte pa dalje” – tha dëshmitari Faton Muli.
Tutje, dëshmitari Muli tha se polici që ka shtënë në B.M. ka qenë i akuzuari Zoran Vukotiq.
“Në atë moment polici i parë që ka qenë, ka qenë Zorani, e ka drejtuar automatikun dhe ka gjuajtur në B.M. Aty është vra B.M. Po ashtu ma ka drejtuar edhe mua automatikun por nuk ka gjuajtur në drejtimin tim”- tha tutje dëshmitari Faton Muli.
Dëshmitari Faton Muli, gjatë dhënies së dëshmisë së tij kërkoi që seanca të ndërpritet për shkak të emocioneve dhe filloi të qante.
Dëshmitari Faton Muli tutje tha se gjatë rrugës kishte bërtitur për ndihmë dhe dy persona e kishin ndihmuar për ta marrë të ndjerin B.M. dhe e kishin futur në një shtëpi.
Në pyetjen e prokurores Florije Salihu-Shamolli se a i kishte njohur tre policët që i kishte parë, dëshmitari tha se të akuzuarin Zoran Vukotiq e kishte njohur para lufte, si dhe shtëpia e xhaxhait të tij dhe banesa ku kishte banuar i akuzuari Vukotiq kishin qenë në distancë 100 metra.
Tutje, dëshmitari Muli tha se të akuzuarit Vukotiq mbiemrin nuk ia kishte ditur por e kishte njohur si i ‘i gjati’.
Në mungesë të dëshmitarëve të tjerë seanca u ndërpre, dhe seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar për në muajin janar 2025.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Rrahman Beqiri – kryetar, Arben Hoti dhe Violeta Namani- Hajra – anëtarë.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Florije Salihu-Shamolli.
Zoran Vukotiq nga Prokuroria Speciale po akuzohet për 4 aktakuza për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Në seancën e datës 22.08.2024 me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Zoran Vukotiq, avokatit Nebojsha Vllajiq, ishte bërë bashkimi i procedurës penale për 4 aktakuza për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë.
I pandehuri Zoran Vukotiq në aktakuzën e parë të Prokurorisë Speciale, të ngritur më 20.04.2017 akuzohet se mes datës 2 dhe 3 maj 1999, në cilësinë e zyrtarit policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, duke vepruar në bashkëkryerje me anëtarë të forcave serbe, ka marrë pjesë në një sulm ndaj popullatës civile shqiptare që udhëtonin në një autokolonë mes fshatit Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme.
Tutje, në aktakuzë, thuhet se civilët iu nënshtruan qëllimisht vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të mëdha, zhvendosjes, aplikimit të masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimit të pronës etj.
Sipas aktakuzës, në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë çnjerëzore për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi direkte ose në bashkëkryerje me të tjerët kanë qenë: E.M., Xh.M., F.(A)G., E.R., A.B., Rr.A., një 14-vjeçar i paidentifikuar, si dhe H.A., Sh.G., M.G.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, të pandehurin Zoran Vukotiq e kishte shpallur fajtor për pikën III të aktakuzës, duke i shqiptuar dënim me 6 vjet e 6 muaj burgim, për krime lufte kundër popullatës civile të sanksionuara me Konventat e Gjenevës.
Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte liruar nga pika e parë që e ngarkonte Zoran Vukotiqin për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë.
Ndërsa për pikën e II të aktakuzës që e ngarkonte Vukotiqin që në cilësinë e policit rezervist nga Stacioni Policor në Vushtrri ka marrë pjesë në paraburgim të paligjshëm të një numri të madh të popullatës civile shqiptare në ndërtesën e ish-Kooperativës bujqësore në Vushtrri, gjatë së cilës civilët me qëllim i janë nënshtruar trajtimit çnjerëzor, për këtë pikë të aktakuzës prokurori i çështjes ishte tërhequr nga ndjekja penale.
Gjykata e Apelit në vitin 2019 e kishte kthyer rastin në rigjykim sa i përket pikës se parë të aktakuzës, që e ngarkonte Zoran Vukotiqin për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë.
Tutje, kjo Gjykatë për pikën III të aktakuzës, ia kishte vërtetuar dënimin e shqiptuar prej gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarit Vukotiq.
Sipas aktakuzës së dytë të Prokurorisë Speciale të datës 16.05.2017 i pandehuri Zoran Vukotiq akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në bashkëkryerje me të pandehurin Gurolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit në policinë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, si dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, pasi kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm të nacionalitetit shqiptarë nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes, me dashje i rrahin dhe pastaj i vrasin katër personat civilë shqiptarë, të identifikuar si : E.R., H.F., A.F., dhe F.F.
Tutje, sipas pikës së dytë të aktakuzës, Zoran Vukotiq, po akuzohet se në bashkëkryerje, në mënyrë çnjerëzore ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar: S.F., F.Sh., V.Xh., Z. Xh., N.Xh., B.Xh., Z.Xh., B.P., L. R., G M., H. M., G.Sh., A.S., S.Sh., B.O., Sh.O., dhe F.M., të cilët i kanë rrahur me grushte, shqelma dhe mjete të tjera të forta, në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar dhimbje të rënda fizike dhe mendore, pasoja të cilat i bartin edhe sot.
Tutje, sipas pikës së tretë të kësaj aktakuze i pandehuri Zoran Vukotiq po akuzohet se në bashkëkryerje me datë, kohë, në vend në cilësi të njëjtë si më lart në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së luftës në Kosovë me dashje dhe dhunshëm kanë plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra të tjera të çmueshme nga civilët shqiptarë, konkretisht nga të dëmtuarit si V.Xh., N.Xh., Z.Xh., B.O., Sh.O., B.M., A.F., H..F., dhe F.G.
Me këtë i pandehuri Vukotiq në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim lufte kundër popullatës civile.
Gjykata Themelore në Mitrovicë me datë 16.05.2018 të pandehurin Zoran Vukotiq e kishte liruar nga tri pikat e aktakuzës, sipas aktgjykimit nuk ishte dëshmuar se i njëjti kishte kryer veprat penale të cilat i viheshin në barrë.
Ndërsa Gjykata e Apelit më 2019 këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së tretë të Prokurorisë Speciale të datës 23.06.2017, Zoran Vukotiq po akuzohet se në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, më 18 prill 1999, rreth orës 15:00, në rrugën “Rruga e Sitnicës” tani “Enver Musa”, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë, i pandehuri Vukotiq në bashkëkryerje me NN personat, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë serbe dhe të armatosur, kanë vepruar në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë konfliktit në Kosovë.
Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Vukotiq akuzohet se në bashkëkryerje ka vrarë të miturin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13-vjeçare B.M. me armë automatike në atë mënyrë që tani viktima, së bashku me djalin e axhës së tij Faton Mulin, kishin marrë biçikletën e fqinjit Skender Bajraktari dhe kishin dalë në lagjen afër varrezave të Vushtrrisë.
Tutje, sipas aktakuzës, më pas, ata kishin dëgjuar disa krisma të armëve, me ç’rast ndërrojnë rrugën dhe nisen në drejtim të rrugës “Enver Musa”, ku pikërisht në rrugën kryesore hasin në tre policë të armatosur.
Tutje, sipas aktakuzës, kur dy fëmijët i shohin policët, fillojnë të ikin, dhe njëri nga policët e uniformuar, tani i pandehuri Zoran Vukotiq, nga largësia prej 30 metrash, gjuan me armë zjarri në drejtim të fëmijëve, duke qëlluar në gjoks B.M., i cili vdes menjëherë, ndërsa Faton Muli, arrin t’iu shpëtojë të shtënave me armë, duke u fshehur afër murit, i cili gjendej aty afër.
Me këtë, i pandehuri Vukotiq, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krime lufte kundër popullatës civile.
Për pikën e parë të kësaj aktakuze, për të cilën Vukotiq akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer krime kundër popullatës civile, Prokuroria për këtë pikë ishte tërhequr nga ndjekja penale.
Ndërsa, gjykimi për këtë rast vazhdon për pikën e dytë të kësaj aktakuze.
Aktakuza e katërt ndaj Zoran Vukotiqit është ngritur më 04.10.2023, me të cilën Vukotiq akuzohet për dhunim seksual gjatë luftës. Ky gjykim është duke u gjykuar i mbyllur për publikun.
Zoran Vukotiq akuzohej edhe për një rast tjetër se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin maj 1999 gjatë luftës në Kosovë gjatë një sulmi të gjerë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Vushtrrisë, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare.
Ai akuzohej se mori pjesë në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
Gjykata e Prishtinës, më 5 korrik 2021 e kishte dënuar me 10 vjet burgim Zoran Vukotiqin mirëpo lënda është kthyer në rigjykim pas ankesave të Prokurorisë Speciale dhe palës së dëmtuar, të cilat kërkonin ashpërsimin e dënimit dhe ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Nebojsha Vlajiq për lirimin e tij.
Gjykata e Apelit më 15 shkurt 2023 e kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë vetëm përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që të dënuarit Vukotiq për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor ia kishte rritur dënimin edhe 3 vite, duke e gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 13 vite, në të cilin dënim i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim deri më datën e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.