I akuzuari Zoran Vukotiq - Foto: KALLXO.com

Gjykimi ndaj të akuzuarit Zoran Vukotiq për krime lufte në Vushtrri, dëshmitari rrëfen për vrasjen e djalit të tij 13-vjeçar

Tre dëshmitarë janë dëgjuar në seancën e së mërkurës, 29.01.2025, të gjykimit të Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte, të kryera në Vushtrri më 1999.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të datës 23.06.2017, Vukotiq akuzohet se në bashkëkryerje ka vrarë të miturin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13-vjeçare, B.M., në Vushtrri.

I pari që dha dëshminë para trupit gjykues ishte babai i të miturit të vrarë B.M., dëshmitari Ismet Muli.

Dëshmitari Muli para trupit gjykues deklaroi se nuk kishte qenë në vendin ku ishte vrarë i biri i tij. Ai tha se për vrasjen e djalit të tij kishte mësuar nga mbesa e tij.

Ismet Muli tregoi se me të marrë vesh lajmin tragjik menjëherë kishte shkuar me vëllanë e tij te vendi i ngjarjes, ku kishte qenë trupi i pajetë i djalit të tij.

Dëshmitari Muli tha se trupin e pajetë të djalit të tij fillimisht e kishin dërguar të një fqinj i tyre dhe pastaj e kishin varrosur me disa persona të lagjes.

Tutje, dëshmitari Muli tha se disa persona të lagjes i kishin propozuar që kufomën ta varrosin në oborr, por nuk kishte pranuar dhe kishte dashur që kufoma të varroset në varreza.

Dëshmitari tregoi se Faton Muli, i cili kishte qenë së bashku me djalin e tij në momentin e vrasjes, i kishte treguar se i akuzuari Vukotiq e kishte vrarë djalin e tij.

“Si zakonisht që tubohemi familjarët, me Fatonin jemi takuar edhe më tregoi: “Ai polici, ai i gjati ku çoj tamël e ka vra”- tha dëshmitari.

Lidhur me të akuzuarin Vukotiq dëshmitari Muli tha se e kishte njohur edhe më herët pasi që kishte pasur një market përfundi banesës së të akuzuarit Vukotiq, dhe se ky i fundit kishte qenë disa herë në market të tij si klient.

Tutje, gjatë seancës u dëgjua edhe dëshmitari Muharrem Kaqanolli.

I pyetur për datën 18.04.1999 dëshmitari Kaqanolli tha se atë ditë kishte qenë në shtëpi dhe pasi kishin mbetur pa ushqim bashkë me djalin dhe dhëndrin e tij kishin shkuar te disa fqinj për të marrë ushqim (patate).

Pasi e kishin marrë ushqimin, dëshmitari tha se ishin nisur për t’u kthyer në shtëpi.

Tutje, ai tha se pasi rruga nga kishin ardhur kishte qenë me vrima dhe kalimi me karrocë kishte qenë i pamundur, kishin vendosur që të dilnin në rrugë dhe për një moment kishin dalë 3 policë në rrugë.

Dëshmitari Kaqanolli tha se tre policët i kishte njohur dhe njëri nga ta e kishte drejtuar automatikun drejt tyre dhe kishte shtënë në ta.

“Ata tre policë i kam njoftë, të tretë i kam identifiku menjëherë. Një prej tyre ka qenë më i gjati, ka qenë Zoran Vukotiqi, njëri ka qenë Zorani i Lekës dhe i treti ka qenë më i vogël me trup”- tha dëshmitari Kaqanolli.

“Na ka drejtu automatin po nuk na ka gjujtë, kanë vazhdu edhe dy-tre hapa, u përkul ai Zorani i Lekës, na ka marrë në shënjestër. Unë veç e kam shty djalin te dera, dhëndri e ka lëshu kolicën… Dhe ia ka fut rafal. Dashti Zoti nuk na kapi më herët”-  shtoi tutje dëshmitari Kaqanolli.

Dëshmitari Kaqanolli për të akuzuarin Vukotiq tha se e kishte njohur si figurë.

Në pyetjen e prokurores Florije Salihu-Shamolli se a është i sigurt që i akuzuari Vukotiq kishte qenë ditën kur ishte shtënë në drejtim të tyre, dëshmitari u përgjigj: “Po, 100% jam i sigurt”.

Tutje, në seancë u dëgjua edhe dëshmitarja Shpresa Rama.

Lidhur me datën kritike, dëshmitarja tha se e kishte parë të ndjerin.

“Unë kam qenë në gjysmë të rrugës, te shtëpia e Naserit, duke e pi një cigare, dhe e kam pa të ndjerin B.M., dhe Faton Mulin që në atë kohë kanë qenë afër 12-vjeç, me biçikletë duke dalë prej rrugës pa krye, duke shku në rrugë kryesore”- tha dëshmitarja Rama.

Tutje, dëshmitarja tha se i kishte dëgjuar edhe krismat kur ishin gjuajtur dhe se kishte parë tani të ndjerin B.M. të shtrirë në tokë.

Dëshmitarja Rama tha se i kishte parë tre policë, dy nga ta nuk i kishte njohur ndërsa personi i cili kishte qenë në mes të tyre, sipas saj, kishte qenë Zoran Vukotiq.

“Është fytyrë që besoj edhe pas 100 vjete me pa fytyrën e tij s’e harroj kurrë”- shtoi me tej dëshmitarja Rama.

Dëshmitarja tha se largësia e saj me policët kishte qenë diku rreth 30-50 metra.

Tutje, ajo tha se të akuzuarin Vukotiq e kishte njohur si “Zoran gorilla”.

“Krejt gjenerata jem, shoqnia që jemi rritë në atë kohë, e kemi quajtë Zoranin si “Zoran gorilla” për shkak të gjatësisë dhe qëndrimit që e mbajke”- tha dëshmitarja Rama.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, njoftoi se nga mbrojtësi Nebojsha Vllaiq Gjykata e ka pranuar një parashtresë në të cilën kishte kërkuar që të mos i njihet statusi i palës së dëmtuar të dëmtuarit Faton Muli.

Lidhur me këtë, prokurorja Florije Salihu-Shamolli deklaroi se qëndron prapa aktakuzës ku është propozuar që palë e dëmtuar të jetë Faton Muli.

Ndërkaq lidhur me këtë trupi gjykues mori aktvendim duke refuzuar propozimin e avokatit Nebojsha Vllaiq, duke thënë se çështja e palës së dëmtuar varet nga propozimi i prokurorit dhe në aktakuzë  është i propozuar Faton Muli, dhe se Gjykata do të vendosë lidhur me kërkesën pasurore-juridike, formën dhe mënyrën e saj.

Pasi që ishte përfundimi i orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre.

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Rrahman Beqiri – kryetar, Arben Hoti dhe Violeta Namani-Hajra – anëtarë.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Florije Salihu-Shamolli.

Zoran Vukotiq nga Prokuroria Speciale po akuzohet për 4 aktakuza për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Në seancën e datës 22.08.2024 me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Zoran Vukotiq, avokatit Nebojsha Vllajiq, ishte bërë bashkimi i procedurës penale për 4 aktakuza për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë.

I pandehuri Zoran Vukotiq në aktakuzën e parë të Prokurorisë Speciale, të ngritur më 20.04.2017 akuzohet se mes datës 2 dhe 3 maj 1999, në cilësinë e zyrtarit policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, duke vepruar në bashkëkryerje me anëtarë të forcave serbe, ka marrë pjesë në një sulm ndaj popullatës civile shqiptare që udhëtonin në një autokolonë mes fshatit Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme.

Tutje, në aktakuzë, thuhet se civilët iu nënshtruan qëllimisht vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të mëdha, zhvendosjes, aplikimit të masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimit të pronës etj.

Sipas aktakuzës, në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë çnjerëzore për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi direkte ose në bashkëkryerje me të tjerët kanë qenë: E.M., Xh.M., F.(A)G., E.R., A.B., Rr.A., një 14-vjeçar i paidentifikuar, si dhe H.A., Sh.G., M.G.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të pandehurin Zoran Vukotiq e kishte shpallur fajtor për pikën III të aktakuzës, duke i shqiptuar dënim me 6 vjet e 6 muaj burgim, për krime lufte kundër popullatës civile të sanksionuara me Konventat e Gjenevës.

Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte liruar nga pika e parë që e ngarkonte Zoran Vukotiqin për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Ndërsa për pikën e II të aktakuzës që e ngarkonte Vukotiqin që në cilësinë e policit rezervist nga Stacioni Policor në Vushtrri  ka marrë pjesë në paraburgim të paligjshëm të një numri të madh të popullatës civile shqiptare në ndërtesën e ish-Kooperativës bujqësore në Vushtrri, gjatë së cilës civilët me qëllim i janë nënshtruar trajtimit çnjerëzor, për këtë pikë të aktakuzës prokurori i çështjes ishte tërhequr nga ndjekja penale.

Gjykata e Apelit në vitin 2019 e kishte kthyer rastin në rigjykim sa i përket pikës se parë të aktakuzës, që e ngarkonte Zoran Vukotiqin për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Tutje, kjo Gjykatë për pikën III të aktakuzës, ia kishte vërtetuar dënimin e shqiptuar prej gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarit Vukotiq.

Sipas aktakuzës së dytë të Prokurorisë Speciale të datës 16.05.2017 i pandehuri Zoran Vukotiq akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në bashkëkryerje me të pandehurin Gurolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit në policinë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, si dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, pasi kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm të nacionalitetit shqiptarë nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes, me dashje i rrahin dhe pastaj i vrasin katër personat civilë shqiptarë, të identifikuar si : E.R., H.F., A.F., dhe F.F.

Tutje, sipas pikës së dytë të aktakuzës, Zoran Vukotiq, po akuzohet se në bashkëkryerje, në mënyrë çnjerëzore ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar: S.F., F.Sh., V.Xh., Z. Xh., N.Xh., B.Xh., Z.Xh., B.P., L. R., G M., H. M., G.Sh., A.S., S.Sh., B.O., Sh.O., dhe F.M., të cilët i kanë  rrahur me grushte, shqelma dhe mjete të tjera të forta, në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar dhimbje të rënda fizike dhe mendore, pasoja të cilat i bartin edhe sot.

Tutje, sipas pikës së tretë të kësaj aktakuze i pandehuri Zoran Vukotiq po akuzohet se në bashkëkryerje me datë, kohë, në vend në cilësi të njëjtë si më lart në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së luftës në Kosovë me dashje dhe dhunshëm kanë plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra të tjera të çmueshme nga civilët shqiptarë, konkretisht nga të dëmtuarit si V.Xh., N.Xh., Z.Xh., B.O., Sh.O., B.M., A.F., H..F., dhe F.G.

Me këtë i pandehuri Vukotiq në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim lufte kundër popullatës civile.

Gjykata Themelore në Mitrovicë me datë 16.05.2018 të pandehurin Zoran Vukotiq e kishte liruar nga tri pikat e aktakuzës, sipas aktgjykimit nuk ishte dëshmuar se i njëjti kishte kryer veprat penale të cilat i viheshin në barrë.

Ndërsa Gjykata e Apelit më 2019 këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së tretë të Prokurorisë Speciale të datës 23.06.2017, Zoran Vukotiq po akuzohet se në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, më 18 prill 1999, rreth orës 15:00, në rrugën “Rruga e Sitnicës” tani “Enver Musa”, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë, i pandehuri Vukotiq në bashkëkryerje me NN personat, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë serbe dhe të armatosur, kanë vepruar në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë konfliktit në Kosovë.

Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Vukotiq akuzohet se në bashkëkryerje ka vrarë të miturin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13-vjeçare B.M. me armë automatike në atë mënyrë që tani viktima, së bashku me djalin e axhës së tij Faton Mulin, kishin marrë biçikletën e fqinjit Skender Bajraktari dhe kishin dalë në lagjen afër varrezave të Vushtrrisë.

Tutje, sipas aktakuzës, më pas, ata kishin dëgjuar disa krisma të armëve, me ç’rast ndërrojnë rrugën dhe nisen në drejtim të rrugës “Enver Musa”, ku pikërisht në rrugën kryesore hasin në tre policë të armatosur.

Tutje, sipas aktakuzës, kur dy fëmijët i shohin policët, fillojnë të ikin, dhe njëri nga policët e uniformuar, tani i pandehuri Zoran Vukotiq, nga largësia prej 30 metrash, gjuan me armë zjarri në drejtim të fëmijëve, duke qëlluar në gjoks B.M., i cili vdes menjëherë, ndërsa Faton Muli, arrin t’u shpëtojë të shtënave me armë, duke u fshehur afër murit, i cili gjendej aty afër.

Me këtë, i pandehuri Vukotiq, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krime lufte kundër popullatës civile.

Për pikën e parë të kësaj aktakuze, për të cilën Vukotiq akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer krime kundër popullatës civile, Prokuroria për këtë pikë ishte tërhequr nga ndjekja penale.

Ndërsa, gjykimi  për këtë rast vazhdon për pikën e dytë të kësaj aktakuze.

Aktakuza e katërt ndaj Zoran Vukotiqit është ngritur më 04.10.2023, me të cilën Vukotiq akuzohet për dhunim seksual gjatë luftës. Ky gjykim është duke u gjykuar i mbyllur për publikun.

Zoran Vukotiq akuzohej edhe për një rast tjetër se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin maj 1999 gjatë luftës në Kosovë gjatë një sulmi të gjerë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Vushtrrisë, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare.

Ai akuzohej se mori pjesë në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.

Gjykata e Prishtinës, më 5 korrik 2021 e kishte dënuar me 10 vjet burgim Zoran Vukotiqin mirëpo lënda është kthyer në rigjykim pas ankesave të Prokurorisë Speciale dhe palës së dëmtuar, të cilat kërkonin ashpërsimin e dënimit dhe ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Nebojsha Vlajiq për lirimin e tij.

Edhe në rigjykim, Vukotiq ishte dënuar me 10 vjet burgim, i akuzuar për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare të Vushtrrisë gjatë luftës.

Gjykata e Apelit më 15 shkurt 2023 e kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë vetëm përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që të dënuarit Vukotiq për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor ia kishte rritur dënimin edhe 3 vite, duke e gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 13 vite, në të cilin dënim i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim deri më datën e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndërsa Gjykata Supreme e kishte vërtetuar dënimin dhe i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të avokatit mbrojtës dhe të dënuarit për krime lufte, Zoran Vukotiq, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.