Salih Mustafa-Seanca ne Apel DHSK
Apeli i Gjykatës Speciale ul në 15 vjet dënimin e Salih Mustafës
Paneli i Gjykatës së Apelit ka ulur në 15 vjet dënimin ndaj ish-luftëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, i cili ishte dënuar me 26 vjet herën e parë, e 22 vjet herën e dytë.
Sipas vendimit, në këtë dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
“Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vitesh burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim” – thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara.
Paneli i Apelit përbëhet nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.
Rasti u kthye në Apel nga paneli i Gjykatës Supreme, i cili ka miratuar pjesërisht kërkesën e Mustafës që kundërshtoi vendimin.
Më 14.12.2023, paneli i Gjykatës së Apelit ka vendosur që ta ulë në 22 vjet burgim dënimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, i akuzuar për krime lufte.
Mustafa, më 16.12.2022 ishte dënuar nga shkalla e parë me 26 vjet burgim për akuzën e mbajtjes dhe maltretimin e disa civilëve shqiptarë, një prej tyre i vrarë në kompleksin e ndërtesave të Zllashit më 1999.
Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.
Gjykimi nisi më 15 shtator 2021 dhe u mbyll më 4 shkurt 2022. Pas paraqitjes së provave, çështja u dorëzua në korrik të vitit 2022.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.