Sulmi në Banjskë, BE: Po presim përfundim të hetimeve për të vendosur hapat e radhës

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka thënë se po presin një hetim të plotë të ngjarjes së 24 shtatorit në Banjskë për të vendosur më pas për hapat e radhës nga BE- ja ndaj palëve.

“Duhet të hetohet të plotësisht që të kemi këtë hetim të përfunduar, së shpejti, kështu që të kemi figurën e qartë se çfarë ka ndodhur, pse ka ndodhur, kush ka marrë pjesë, kush e ka orkestruar dhe bazuar në këtë BE-ja do të vendosë cilat do të jenë hapat e radhës prej nesh, ndaj Serbisë, ndaj Kosovës, për dialogun dhe rajonin”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se lidhur me sulmin e 24-shtatorit në Banjskë, Serbia nuk ka nevojë të fshihët pas formaliteteve si njohja apo mosnjohja e Kosovës.

Pasi sipas tij, nëse ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje, ka edhe mënyra për ta gjetur atë.

Kështu ka thënë ai teksa ka shtuar se presin nga Serbia bashkëpunim të plotë dhe pa kushte në hetimin e sulmit terrorist.

“Nuk ka nevojë që të fshehët pas formaliteteve si njohja apo mosnjohja. Ka mënyra të mjaftueshme se si mund të ndani gjetjet e juaja, si mund të bashkëpunoni, të kontribuoni në hetim të plotë sepse kjo ishte diçka shumë serioze çfarë ka ndodhur më 24 shtator, duhet të qartësohet në plotësi sepse do të ketë pasoja”- ka thënë ai.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të rikthehen në dialog.

“Rikthimi në dialog është mesazhi i qartë për të dyja palët. Ju duhet të ktheheni në dialog, në të kundërtën nuk do të zgjidhni telashet. Së dyti, thirrja dhe pritja shumë e rëndësishme është për shtensionim, të bëhet gjithçka që është e mundur për shtensionim” – ka shtuar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të ndëshkohet dhe sanksionohet ndërkombëtarisht për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, pasi në të kundërt sipas tij, shteti serb do ta përsërisë krimin.

Kurti për sulmin në Banjskë: Nëse Serbia nuk sanksionohet ndërkombëtarisht, do ta përsërisë krimin

Në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit. Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Më 29 shtator 2023, Millan Radoiçiq, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.