Kurti për sulmin në Banjskë: Nëse Serbia nuk sanksionohet ndërkombëtarisht, do ta përsërisë krimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të ndëshkohet dhe sanksionohet ndërkombëtarisht për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, pasi në të kundërt sipas tij, shteti serb do ta përsërisë krimin.

Kurti për gazetën malazeze Pobjeda ka thënë se është e qartë që sulmi ka kërcënuar integritetin e sovranitetin shtetëror dhe sigurinë kombëtare, teksa shtoi se u nxorrën në pah vështirësitë, si dhe nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë.

“Pra, nevoja për ndëshkim të hapur – dhe atë me gjuhë të qartë dhe të përshtatshme – si dhe kërkesa e shprehur e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë. Po e përsëris se provat e mbledhura gjatë hetimeve të kryera tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni kundër Republikës së Kosovës. Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”- ka deklaruar Kurti.

Më tej, kryeministri është shprehur se i është mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë mbetur të përkushtuara në mbështetjen e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimeve evropiane.

“I jemi mirënjohës SHBA-së që kanë mbetur të përkushtuara në mbështetjen e Republikës së Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimeve evropiane, përmirësimin e qeverisjes, sundimin e ligjit, reformat, luftën kundër korrupsionit, forcimin e perspektivës evropiane të rajonit, si dhe forcimin e synimit afatgjatë të gjithë Evropës – paqen dhe lirinë”- ka thënë ai.

“Republikën e Kosovës e njohin 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së dhe 26 nga 30 shtete anëtare të NATO-s. Amerika nuk e ka të lehtë me disa vende, të cilat, për fat të keq, kanë tërhequr disa paralele të rreme me vendin tonë për problemet e tyre të brendshme”- theksoi Kurti.

Në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit. Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Më 29 shtator 2023, Millan Radoiçiq, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.