Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Spitali i Pejës njofton rreth gjendjes së pacientëve me COVID-19

Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka njoftuar se 15 pacientë me COVID-19 janë në gjendje më të rëndë.

Sipas njoftimit të spitalit, tre pacientë janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit nga COVID-19, ndërkaq po trajtohen 58 pacientë me coronavirus.

“Sa i përket gjendjes së pacientëve, dy janë në respirator, 44 pacientë janë në oksigjeno terapi dhe nga këta 15 pacientë janë në gjendje më të rëndë”, thuhet në njoftim.

Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 185 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësor, kurse 19 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm.

“4 lindje kanë qenë gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 2 normale dhe 2 me prerje cezariane. Kanë lindur 4 foshnje, 2 të gjinisë mashkullore dhe 2 të gjinisë femërore. 203 pacientë kanë kryer analiza, që në total kanë bërë 2,277 analiza, ndërsa janë kryer 5 Operacione”, vijon njoftimi.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Spitalin e Pejës janë kryer 112 shërbime Radiologjike, dhe prej tyre 87 Rëntgena, 14 EHO dhe 11 CT-ja.

Sipas të dhënave zyrtare deri më tani në Kosovë me coronavirus janë konfirmuar 12 mijë e 981 raste pozitive, janë shëruar 9 mijë e 85 pacientë dhe kanë vdekur 498 persona.