A po e trajtojnë institucionet çështjen e shitjeve të barnave online?

Besim Kodra nga Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve në Kosovë thotë se institucionet ndonëse janë zotuar që do të merren me dukurinë e shitjeve të produkteve medicinale online, një gjë e tillë nuk po ndodh.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka theksuar se kjo dukuri shkakton dëm të madh te qytetarët.

“Nuk ka veprime konkrete që ne na tregojnë se vërtet janë duke u marrë me këtë çështje. Kjo shkakton dëm tek qytetarët. Në storje pamë 3-4 vepra penale dhe do të duhej të merrej prokuroria dhe Policia me këtë çështje ndërsa institucionet shëndetësore do të dalin prej kombinimit vetëm mund t’i ofrojnë asistencë. Aty pamë një mashtrim, pamë dëmtim të shëndetit të qytetarëve sepse jepen nga njerëz jokompetentë, pamë përdorim të logove të organizatave ndërkombëtare që krejt këto janë vepra penale” – tha Kodra.

Ai tutje shtoi se porosia online e produkteve medicinale tregon një mungesë besimi nga pacientët në insistucionet shëndetësore publike.

“Mund të them që ndoshta edhe në profesionistët shëndetësorë mungon besimi i qytetarëve sepse duhet bërë një dallim mes dezinformimit dhe keqinformimit. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka bërë një dallim të mirë për këto. Keqinformimi është kur dikush shpërndan informata e lajme të rreme por nuk ka qëllime dashakeqe ndërsa dezinformimi është kur shpërndan lajme të rreme me qëllim të dëmtimit apo mashtrimit të personave të tjerë” – tha Kodra në emisionin që u transmetua më 19.04.2024.

www.kallxo.com