Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sot pritet betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq

Në një seancë solemne, kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq pritet që të jap betimin sot.

Atiq në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, si kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka fituar 553 vota.

Përgatitjet për seancën kanë filluar tash e disa ditë, përderisa dje gjatë ditës zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skender Sadiku tha për KALLXO.com se seanca e sotme do të mbahet me vetëm një pikë rendi të ditës, betimin e kryetarit.

“Nuk ka ndonjë telashe, në rregull është krejt. Është seancë solemne, me një pikë të rendit të ditës dhe vetëm betimin ka me jep kryetari. Përgatitjet janë bërë të gjitha” – tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi lidhur me ceremoninë e betimit të Atiq e nëse do të ndodhë edhe betimi i kryetarëve të tjerë, mirëpo ai ka thënë se për sot i planifikuar është vetëm betimi i kryetarit në veri të Mitrovicës.

Po ashtu, redaksia dje kishte kërkuar të dijë nëse MAPL është njoftuar për datat se kur do bëhet betimi i kryetarëve të rinj të tri komunave tjera veriore, por deri më tani nuk është marrë ndonjë përgjigje.

Për betimin e Atiq, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi të hënën para gazetarëve tha se Mitrovica do vazhdojë t’i mbajë seancat në sallën e Kuvendit Komunal dhe aty do të mbahet edhe seanca e së premtes.

“Ligji e ka paraparë secilin aspekt të organizimit të seancave të Kuvendit tashmë po flasim për Mitrovicën e Veriut, ftesa ka ardhë. Mitrovica e Veriut vazhdon me i mbajtë seancat në sallën e Kuvendit Komunal dhe aty do të jetë edhe seanca e së premtes dhe do jepet betimi i kryetarit dhe në koordinim me kryetarët tjerë do organizojmë edhe seancat tjera”- ishte shprehur ministri.

Në anën tjetër, zëvendëskryesuesi Sadiku shpjegoi se komuna ka funksionuar pa ndërprerje edhe në kohën e dorëheqjes së Listës Serbe, teksa shtoi se Drejtoria e cila ka qenë funksionale gjithmonë ka qenë ajo e Administratës Publike.

Sipas zëvendëskryesuesit, që prej betimit të tyre si asamble kanë mbajtur gjashtë mbledhje, duke përfshirë edhe një në lidhje me vërshimet si pasojë e të reshurave të shiut.

“Komuna ka funksionuar pa ndërprerje edhe në kohën kur kanë dhënë dorëheqje, Lista Serbe. Një drejtori e ka mbajt gjallë komunën, e ajo është drejtoria e Administratës Publike” – ka thënë Sadiku.

Ai tutje tha se nuk pritet ndonjë telashe.

“Prej që kemi dhënë betimin ne asambleja i kemi mbajtur gjashte mbledhje nga dhjetori, një prej tyre ka qenë edhe për vërshimet”- është shprehur ai.

Sadiku ndër të tjera tha se është në interesin e tyre që të fillohet se më shpejt ‘zhbllokimi’ i komunës dhe të fillohet puna edhe me drejtoritë e tjera që të merren edhe me tema dhe probleme normale.

Cilat janë planet e Policisë së Kosovës për sot?

Me qëllim që ceremonia e betimit të Atiq të përcillet pa incidente, Policia e Kosovës dje ka thënë për KALLXO.com se ka ndërmarrë masat dhe planet operacionale të nevojshme.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Veton Elshani tha se kanë ndërmarrë të gjitha masat që inaugurimi të shkojë si duhet.

“Situata është e qetë njëherë për njëherë, sidoqoftë është delikate mirëpo nuk kemi ndonjë indikacion që do të ketë ndonjë problem nesër” – tha ai.

Elshani tha se Policia e Kosovës i ka ndërmarrë masat që inaugurimi të shkojë si duhet dhe se policët do të jenë në rrugë edhe për të rregulluar trafikun.

Ndër të tjera, zëvendësdrejtori tha se nuk shohin që ka ndonjë problem për këtë situatë.

Çfarë thanë ndërkombëtarët?

Betimi i kryetarit Atiq bëri që gjatë këtyre ditëve të kishte disa takime, bisedime e deklarata në Kosovë e në shtetin fqinj, Serbi.

Dje gjatë ditës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka kërkuar që të mos përdoret forca për t’i siguruar kryetarëve të katër komunave veriore qasje në objektet komunale.

Këtë kërkesë, Hovenier tha se ia ka përcjellë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në takimin që ka zhvilluar me të.

“Unë i kam bërë disa komente dje, ne folëm për të njëjtën gjë. SHBA mendon që kjo gjë duhet të përfundojë, duhet të shmangen konfliktet dhe veprimet që çojnë në rritjen e tensioneve në veri” – ka thënë Hovenier.

Ai tutje tha se presin që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë një rol teknik, sesa një rol politik dhe të marrin veprime që nuk shihen si eskalim i tensioneve.

Tutje ai shtoi se duan që qeveria t’i mbështes këta kryetarë të këtyre komunave duke thënë se nuk mendojnë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë që qasshme në këtë kohë.

“Ka mënyra për ta bërë këtë duke respektuar kryetarët dhe përgjegjësitë, por të mos krijohet një konflikt i nivelit të tillë “- theksoi ai.

Edhe Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën në zhvillim në veri të Kosovës.

Një ditë para betimit të kryetarit të sapozgjedhur për veri të Mitrovicës, Erden Atiq, vendet e QUINT thanë se ‘nuk ka kusht që kryetarët duhet të betohen në zyrat komunal’.

Për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një telefonatë edhe Këshilltarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Kurti me Chollet përpos situatën në veri kanë biseduar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.

Bisedë me Chollet mbrëmë ka pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili ka thënë se kryetarët e komunave në veri të Kosovës nuk do t’i pranojnë kurrë.

Vuçiq, ka thënë më 18 maj se është duke u kërkuar serbëve ta ruajnë paqen, para betimit që do të bëjnë katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

“Nesër do të mbahet. Ata do të tentojnë të mbajnë seanca konstituive në ndërtesën në veri të Mitrovicës, për tri komuna, dhe të zgjedhin kryetarë të rremë, me mbështetje të QUINT-it, të zgjedhur në zgjedhje të rreme”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve në Novi Sad.

Pse u mbajtën zgjedhjet e parakohshme në veri?

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Mirëpo, këto zgjedhje u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb. Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Beogradi zyrtar nuk i njeh rezultatet e këtyre zgjedhjeve, dhe ato i ka konsideruar “jodemokratike dhe joligjore”.

Partia e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, kishte bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve. Edhe Beogradi zyrtar e kishte mbështetur bojkotin.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1,567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Arsyeja e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve erdhi pasi komunat në veri patën mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar.

Kjo pasi përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Kryetarët e sapo zgjedhur për komunat veriore të Kosovës – të gjithë të partive shqiptare – do të duhet të kryejnë betimin dhe të hyjnë nëpër zyrat e reja, ndonëse ato më parë kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.