Kosova-Shqiperia

Sonte miqësorja Shqipëri – Kosovë

Sonte me fillim prej orës 20:00 do të zhvillohet ndeshjes miqësore mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Pas vëllazërores së 13 nëntorit të vitit 2015 që u zhvillua në Prishtinë dhe që u kthye në një festë të madhe, Shqipëria dhe Kosova do të jenë sërish përballë njëra-tjetrës këtë herë në tokën helvete pikërisht në Zurich të Zvicrës.

Ky është testi i parë gjeneral për djemtë e drejtuar nga Christian Panucci për Ligën e Kombeve që do të nisë në shtator. Risi të shumta në formacionin e kuqezinjëve të cilët do të zbresin në fushë me një skuadër shumë herë më të re në moshë.

Lenjani nuk ja ka dalë të rikuperohet në kohë nga dëmtimi ndërsa Mavraj edhe për faktin se është me Ramazan do të ulet në stol nga trajneri Panucci.

Përsa i përket Kosovës edhe te “Dardanët” mungesat do të jenë të shumta ku spikat ajo e Valon Berishës.

Trajneri zviceran Bernard Chalandes pritet të luajë me rreshtimin 4-4-1-1, me Avdijajn që do të mbështesë sulmuesin e vetëm Vedat Muriqi, ndërkohë në prapavijë një fanellë titullari do të ketë edhe për mbrojtësin e Skënderbeut Fidan Aliti, por edhe për talentin e Hajdukut të Splitit Ardjan Ismaili./rtv21/