Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino viziton Kosovën
Presidenti i institucionit më të lartë të futbollit në botë FIFA, Gianni Infantino, ka arritur në Kosovë.
Në pamjet që ka publikuar FFK-ja, Infantino është pritur në aeroportin e Prishtinës nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe zyrtarë të presidencës.
Sipas FFK-së, vizita e Infrantinos në Kosovë dëshmon mbështetjen e FIFA-s për Kosovën dhe federatën.
“Vizita e tij e dytë dhe dekorimi nga Presidentja Vjosa Osmani nuk është vetëm një simbol nderimi, por edhe frymëzim për gjeneratat e reja. Kjo na kujton se përmes sportit mund të bashkojmë njerëz, të ndërtojmë ura miqësie dhe të promovojmë respektin dhe barazinë” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.
Kombëtarja e Kosovës në futboll të premten me 10 tetor në “Fadil Vokrri” do të ballafaqohet me Slloveninë, ndërsa tre ditë më pas me 13 tetor, do të luajë kundër Suedisë në udhëtim, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Kosova aktualisht është në vendin e dytë të grupit B, me tre pikë pas dy ndeshjeve. Në këtë grup janë edhe Zvicra e vendit të parë dhe Suedia e Sllovenia në vendin e tretë dhe të katërt.