Policia e Kosoves Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Sindikata reagon për sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë në Viti
Dy zyrtarë policorë dyshohet se u sulmuan nga tre persona të dyshuar të cilët në atë moment ishin duke u arrestuar.
Sipas raportin ditor të policisë, zyrtarët policor gjatë tentimit të arrestimit të tre personave të dyshuar në fshatin Drobesh në Viti, u sulmuan. Dy nga ta përfunduan në pranga ndërsa personi i tretë u largua nga vendi i ngjarjes.
E për këtë situatë ka reaguar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.
Në reagimin e tyre, sindikata thotë se sulmi është i papranueshëm.
“Sindikata i bën thirrje organeve të drejtësisë që të jenë të pakompromis ndaj kujtdo që sulmon zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës. Dhuna ndaj pjesëtarëve të Policisë është e papranueshme dhe kërkon ndëshkim të menjëhershëm”- thuhet në reagim.
Në anën tjetër po e njëjta sindikatë ka apeluar te qytetarët që të respektojnë punën e Policisë, të mos ushtrojnë rezistencë ndaj urdhrave ligjorë të zyrtarëve policorë, pasi një sjellje e tillë përbën vepër penale dhe rrezikon sigurinë publike.
Sindikata ka kërkuar edhe mbështetje për policinë si institucion kyç për sigurinë, rendin dhe zbatimin e ligjit në vend.
“Policia e Kosovës është mburoja e qytetarëve tanë dhe garantuese e rendit kushtetues – prandaj meriton respekt dhe mbështetje të vazhdueshme”- thuhet në reagimin e Sindikatës .
KALLXO.com raportoi në lidhje me ngjarjen që u shënua me 01.08.2025 në fshatin Drobesh në Viti.
Dy policë dyshohet se u sulmuan nga tre persona që i rezistuan arrestimit në Viti