Zyrtari policor duke kontrolluar pamjet nga droni, Foto: KALLXO.com

Siguria në komunikacion, policia ju sheh edhe me dron

Droni është një nga pajisjet të cilën Policia e Kosovës është duke përdorur për të identifikuar kundërvajtësit në komunikacion.

Në kilometrin e 10-të të magjistrales Prishtinë-Podujevë, saktë në fshatin Vranidoll, gjatë ditës së hënë janë vendosur policë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor të Prishtinës.

Këta policë, nga pamjet e siguruara përmes dronit, po ndalin automjetet që nuk po respektojnë rregullat në trafik.

Këtyre të fundit po iu shqiptohet gjoba të bazuara në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Sipas rreshterit të kësaj njësie, Myftar Musliu qëllimi i këtij plani operativ është parandalimi i aksidenteve.

“Me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion rrugor [..], sot jemi duke e shfrytëzuar pajisjen siç është droni, i cili në lartësi bukur të mirë fokusohet në kthesa gjatë rrugës në një segment të caktuar ku shënjestron vijën e plotë”, ka thënë Musliu.

Tutje rreshter Musliu shpjegoi se përmes dronit janë duke u identifikuar ngasësit të cilët më pas po ndalohen për tu gjobitur.

“Pasi të identifikohet ngasësi, i njëjti ndalohet në pikën ku fokusohet njësia dhe vazhdohet me masa të tjera”, ka treguar Musliu.

Zyrtari policor duke lëvizur dronin | Foto: KALLXO.com
Pamje nga droni i Policisë së Kosovës | Foto: KALLXO.com
Policia duke ndaluar kundërvajtësit në komunikacion | Foto: KALLXO.com
Droni i Policisë së Kosovës | Foto: KALLXO.com
Zyrtari policor duke përgatitur dronin për fluturim | Foto: KALLXO.com