Shtëpia e Bardhë

Shtëpia e Bardhë në strategjinë e re anti-terrorizëm e quan Europën “inkubator” për terrorizëm

Kritikat e reja ndaj Europës vijnë vetëm disa muaj pasi strategjia e re e sigurisë kombëtare e presidentit Trump vlerësonte se kontinenti europian po përballet me “zhdukje civilizimi” për shkak të imigracionit.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në strategjinë e re kundër terrorizmit të shpalosur të mërkurën sipas kohës lokale amerikane, akuzon Europën se është kthyer në “inkubator” për terrorizmin e nxitur nga migrimi masiv, ka raportuar të enjten (07.05.2026) Euronews.

Strategjia qendërsohet njashtu në çrrënjosjen e “ekstremistëve të dhunshëm të krahut të majtë”, duke përfshirë grupet “radikalisht pro-transgjinore”, ndërsa administrata konservatore e presidentit Trump shton sulmet politike ndaj kundërshtarëve.

Strategjia e re i vendos më tej kartelet e drogës në Amerikë në qendër të përpjekjeve kundër terrorizmit.

Por pjesë të gjuhës më të ashpër janë rezervuar për Europën, vendi i shumë aleatëve të SHBA-së, të cilët do të alarmohen kur ta shohin përsëri se janë në shënjestër të administratës Trump.

“Është e qartë për të gjithë se grupet armiqësore të organizuara mirë shfrytëzojnë kufijtë e hapur dhe idealet e lidhura me to globaliste. Sa më shumë të rriten këto kultura të huaja dhe sa më gjatë të vazhdojnë politikat aktuale europiane, aq më shumë terrorizmi garantohet”, thuhet në strategji.

“Si vendlindja e kulturës dhe vlerave perëndimore, Europa duhet të veprojë tani dhe të ndalë rënien e saj të qëllimshme”, shton strategjia, e hartuar në drejtimin e koordinatorit të antiterrorizmit, Sebastian Gorka, i cili është akuzuar për lidhje me grupet e ekstremit të djathtë.

Kritikat e reja ndaj Europës vijnë vetëm pak muaj pasi strategjia e re e sigurisë kombëtare e presidentit Trump vlerësonte se kontinenti europian po përballet me “zhdukje civilizimi” sherri i imigracionit.

Trump kohët e fundit ka sulmuar njashtu aleatët europianë të NATO-s për dështimin për ta ndihmuar në luftën kundër Iranit.

Grupet e krahut të majtë janë preokupim i madh për administratën e presidentit republikan, me strategjinë që synon ata që i quan “ekstremistë të dhunshëm të krahut të majtë, përfshirë anarkistët dhe antifashistët”.

Strategjia thotë se përpjekjet e SHBA-së kundër terrorizmit do të “prioritizojnë identifikimin dhe neutralizimin e shpejtë të grupeve politike laike të dhunshme, ideologjia e të cilave është antiamerikane, radikalisht pro-transgjinore dhe anarkiste”.

Strategjia anti-terrosite përmend posaçërisht vrasësin e dyshuar të aleatit të presidentit Trump dhe ndikuesin konservator, Charlie Kirk, si “një radikal që përkrahte ideologji ekstreme transgjinore”.

Që nga kthimi i tij vjet në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump ka demonizuar çdo pranim të diversitetit gjinor dhe personave transgjinorë. Ai mburret rregullisht sesi administrata e tij ua ka ndaluar grave transgjinore pjesëmarrjen në sportet e femrave dhe menjëherë pas inaugurimit nënshkroi urdhrin ekzekutiv me të cilin do të shpallte se ekzistojnë vetëm dy gjini.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com