Droga e futur në dyer ishte bërë gati të nisej për në Zvicër, Prokuroria tërhiqet nga aktakuza

Prokuroria e Prizrenit në fjalën përfundimtare ka tërhequr aktakuzën në rastin e tentim-transportit të 130 kilogramëve marihuanë, pasi nuk ka gjetur prova të mjaftueshme kundër të akuzuarve.

Rreth pesë vjet më parë, 22 dyer druri ishin bërë gati që të transportoheshin në Zvicër, por dolën të jenë të paligjshme.

Pas kontrollit rezultoi atë kohë se këto dyer ishin të mbushura plot me mbi 130 kilogramë drogë.

Tre persona Naim Osmani, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu janë përballur me aktakuzën për posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Megjithatë, në mungesë të provave prokurori i çështjes, Metush Biraj vendosi që të tërhiqet nga ndjekja penale, përkatësisht aktakuza.

Në fjalën përfundimtare të dhënë më 31 mars 2023, prokurori Biraj ka deklaruar se aktakuza e ngritur me asnjë provë nuk është vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Pas administrimit të të gjitha provave si ato verbale dhe ato materiale në këtë gjykim të gjatë u vërtetua si jokontesutuese fakti se sasia e madhe e narkotikut e fshehur në dyer që është zbuluar nga Policia, përmes kompanive transportuese si në Prizren dhe Ferizaj është tentuar të dërgohet për në Zvicër”- ka thënë Prokuroria.

Për Prokurorinë si jokontestuese është vërtetuar edhe fakti se kjo sasi e narkotikut nga Komuna e Gjakovës përmes dy auto-taksive private është bartur e fshehur në dyer në dy kompani.

“Si shumë kontestuese është paraqitur fakti se kjo sasi e madhe e narkotikut të llojit ‘marihuanë’ e destinuar jashtë Kosovës, a ka lidhshmëri kauzale me veprimet e dyshuara inkriminuese penale të të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadriaj dhe Arbër Salihu”-thuhet në fjalën përfundimtare të Prokurorisë.

Prokurori më tej ka cekur se po ashtu nga provat e tjera siç  janë bisedat e tjera telefonike të nxjerra nga përgjimet e zhvilluara ndaj të akuzuarve nuk del se ka veprime inkriminuese.

“Nga deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në prokurori dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor, në provat materiale si: përgjimi i telekomunikimeve, konkretisht supozimet e policisë sa i përket ‘dëgjimit të zërit’ mbështetur në nr. e telefonit …përmes së cilës i akuzauri Naim Osmani me taxi privat ka organizuar transportimin e narkotikut. Mirëpo, lidhur me këtë numër nuk dihet origjina e as kush e ka përdorur atë telefon”- thuhet në aktgjykim.

Sipas Prokurorisë nuk ka lidhje kauzale që do të dëshmonte se të akuzuarit janë përfshirë në veprën penale e cila është objekt i akuzës.

“Duke e ndjekur zërin e ndërgjegjes sime e mbi të gjitha etikën profesionale, i nderuar trup gjykues unë nuk mund të qëndrojë pranë kësaj aktakuze, përkatësisht heqi dorë nga aktakuza në mungesë të provave sepse në gjykim nuk u arrit që të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar se të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale për çka janë akuzuar”- thuhet në fjalën përfundimtare të dorëzuar nga prokurori Metush Biraj.

I njëjti ka propozuar që substanca narkotike e llojit marihuanë në peshë totale prej 130 kg e 649.32gr të asgjësohet.

Meqenëse prokurori i shtetit në mungesë të provave është tërhequr nga aktakuza, Gjykata e Prizrenit lidhur me këtë rast mori aktgjykim refuzues.

“Nga të lartcekurat, në mungesë të provave, ndaj të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadriaj dhe Arbër Salihu për shkak të veprës penale në bashkëkryeje blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, prokurori i shtetit tërhiqet nga aktakuza, sepse aktakuza me asnjë provë nuk është vërtetuar gjatë shyrtimit kryesor”- thuhet në aktgjykim.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në Apel brenda afatit prej 30 ditëve.

Sipas aktakuzës tre persona akuzoheshin se tentuan që të dërgonin drogë në Zvicër duke përdorur një linjë të transportit të mallrave.

Naim Osmani, Ukë Sadriaj dhe Arbër Salihu janë dyshuar se pa autorizim kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me ligj si narkotikë, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ose ofrimit për shitje.

Aktakuza thotë se më datë 24 dhe 28 tetor 2017, në orët e paradites, duke përdorur dy taksi të ndryshëm nga Gjakova, saktësisht nga lapidari i fshatit Dobrosh të komunës së Gjakovës, të dyshuarit kanë dërguar në kompaninë me inicialet “F.C.”në Prizren, dhe në kompaninë me inicialet “E.T.” në Ferizaj gjithsej 22 dyer të drurit.

Në brendinë e tyre është paketuar në total 130 kilogramë e 649.32 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë me qëllim të eksportimit në Zvicër.

Me këtë të akuzuarit sipas Prokurorisë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve.

Në nëntor të vitit 2017, Emisioni Drejtësia në Kosovë në rubrikën Policia kishte transmetuar filmimet ekskluzive nga aksioni i Policisë  në aksionin e koduar “Lozana”.

Xhirimet ekskluzive tregojnë se në brendi të dyerve nga druri  është vendosur marihuanë.

Aksioni është zhvilluar në Prizren, Ferizaj dhe katër lokacione në Gjakovë.

Në lokacionin e parë Policia në Prizren, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Gjakovë, gjatë punës operative dhe hetimeve të zhvilluara, arrin të identifikojë një depo në rajonin e Prizrenit, në të cilën dyshohej se ka substanca narkotike.

Për këtë ishte njoftuar prokurori dhe nga ai është marrë leje për kontroll, ku gjatë kontrollit në depo në  10 dyer ku dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Ndërkaq, në vazhdën e dytë të hetimeve më datë 28 tetor 2017, Policia arrin të identifikojnë një lokacion- depo të dytë në rajonin e Ferizajt dhe gjatë kontrollit në depo gjejnë 11 dyer ku po ashtu dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Filmimet tregojnë se në këtë rast në brendi të dyerve nga druri janë gjetur 171 paketime rreth 400 gramë secila, me peshë totale rreth 71 kg e 196.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Gjatë këtij aksioni Policia ka konfiskuar gjithsej 315 paketime me peshë totale prej 130 kilogramë e 649.3 gramë.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK.