Gjykimi për 130 kg drogë - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për 130 kg drogë që do të transportohej nga Kosova drejt Zvicrës, ky është rrëfimi i të akuzuarit

Ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj të akuzuarave Naim Osmani, Ukë Sadriaj dhe Arbër Salihu për rastin e tentim transportit të 130 kilogramëve drogë.

Tre personat akuzohen se tentuan që të dërgonin drogë në Zvicër duke përdorur një linjë të transportit të mallrave.

Seanca të martën në Gjykatën e Prizrenit ka filluar me dëshminë e të akuzuarit Naim Osmani, i cili ka mohuar veprën e cila i vihet në barrë.

Sipas Osmanit, aktakuza nuk qëndron pasi ai ka punuar në firmën e xhaxhait të tij, e cila firmë merret me punë ndërtimore, saktësisht me suvatimin dhe fasadimin e ndërtesave.

Naim Osmani ka mohuar të ketë pasur ndonjë bashkëpunim me firmën NN  dhe kompaninë NN.

“Kompania e familjes sonë SHPK “Osmani” merret me punë të ndërtimtarisë, andaj nuk kemi lidhje me këto kompani”- tha i akuzuari.

Osmani më tej ka shtuar se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur bashkëpunim me ndonjë firmë transportuese pasi bartjen e materialeve e kanë bërë përmes automjeteve të firmës.

I pyetur për raportet me dy të akuzuarit e tjerë, Osmani ka bërë të ditur se Ukë Sadriajn dhe Arbër Salihun i njeh që nga fëmijëria dhe ata kohë pas kohe kishin punuar në firmën e xhaxhait të tij.

Naim Osmani ka shpjeguar edhe një transkript të bisedës të cilën e kishte bërë përmes telefonit të Ukë Sadriajt me Arbër Salihun.

Sipas Osmanit, transkripti: “i thash pritëm 15 minuta, tha so problem po kështu dyer t’i kam qit jashtë, hajt”, ishte për shkak se dyert e shtëpisë ku ishin duke punuar duhej të ndërroheshin.

“Arsyeja ka qenë sepse unë i thash Arbrit me i hekë dyert e shtëpisë se duhet të vendosen këndet në çdo derë dhe duhet bërë matja e saktë e derës që të mos dëmtohen dyert e shtëpisë gjatë punimeve. Prandaj, Arbri në atë telefonat më tregon që dyert i ka lënë jashtë. Po ashtu gjatë bisedës Arbri më tha ‘prit 15 minuta’, fjala ka qenë për pagesën e materialit”-sqaroi i akuzuari.

Naim Osmani para trupit gjykues ka treguar se kur Policia kishte kryer bastisje në shtëpinë e tij, ai ka qenë në Shqipëri dhe pas 5 muajve ishte kthyer në Kosovë.

“Gjatë bastisjes kam qenë në Shqipëri, dhe nuk jam kthyer në Kosovë pasi që motra ime ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Unë jam kthyer në Kosovë kur gjendja e saj është përmirësuar, diku pas 5 muajve dhe menjëherë jam paraqitur në stacionin policor në Gjakovë. Dua të theksoj se gjatë bastisjes në shtëpinë time nuk është gjetur asgjë” – tha i akuzuari.

Osmani ka mohuar se ka pasur komunikim dhe kontakt fizik me ndonjë taksi privat dhe kompani transportuese.

Ai ka mohuar gjithashtu se i njeh personat me emrat Fetah Osmani, Nexhat Metaj, Rexhep Haxhija, Ali Berisha e Visar Fanën.

Me përfundimin e orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre. Shqyrtimi i radhës u caktua për më 16 mars.

Sipas aktakuzës, Naim Osmani, Ukë Sadriaj dhe Arbër Salihu po akuzohen se pa autorizim kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me ligj si narkotikë, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ose ofrimit për shitje.

Aktakuza thotë se me datë 24 dhe 28 tetor 2017, në orët e paradites, duke përdorur dy taksi të ndryshëm nga Gjakova, saktësisht nga lapidari i fshatit Dobrosh të komunës së Gjakovës, të dyshuarit kanë dërguar në kompaninë me inicialet “F.C.”në Prizren, dhe në kompaninë me inicialet “E.T.” në Ferizaj gjithsej 22 dyer të drurit.

Në brendinë e tyre kanë paketuar në total 130 kilogramë e 649.32 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë me qëllim të eksportimit në Zvicër.

Me këtë të akuzuarit sipas Prokurorisë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve.

Në nëntor të vitit 2017, emisioni Drejtësia në Kosovë në rubrikën Policia kishte transmetuar filmimet ekskluzive nga aksioni i Policisë  në aksionin e koduar “Lozana”.

Xhirimet ekskluzive tregojnë se të dyshuarit kanë arritur ta maskojnë marihuanën nëpër dyer.

Aksioni është zhvilluar në Prizren, Ferizaj dhe katër lokacione në Gjakovë.

Në lokacionin e parë Policia në Prizren, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Gjakovë, gjatë punës operative dhe hetimeve të zhvilluara, arrin të identifikojë një depo në rajonin e Prizrenit, në të cilën dyshohej se ka substanca narkotike.

Për këtë ishte njoftuar prokurori dhe nga ai është marrë leje për kontroll, ku gjatë kontrollit në depo në  10 dyer ku dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Ndërkaq, në vazhdën e dytë të hetimeve më datë 28 tetor 2017, Policia arrin të identifikojnë një lokacion- depo të dytë në rajonin e Ferizajt dhe gjatë kontrollit në depo gjejnë 11 dyer ku po ashtu dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Filmimet tregojnë se në këtë rast në brendi të dyerve nga druri janë gjetur 171 paketime rreth 400 gramë secila, me peshë totale rreth 71 kg e 196.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Gjatë këtij aksioni Policia ka konfiskuar gjithsej 315 paketime me peshë totale prej 130 kilogramë e 649.3 gramë.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK.