Prokuroria e Gjilanit ngrit aktakuzë ndaj 4 zyrtarëve për uzurpim të pronës dhe keqpërdorim të detyrës

Prokuroria e Gjilanit, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve G. P., M. Sh. V. I. dhe Gj. N., për shkak të veprave penale ‘’Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme’’ dhe ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, thuhet në komunikatën për media.

Sipas aktakuzës i pandehuri G. P., që nga viti 2021, në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar dy parcela kadastrale, njëra në sipërfaqe prej 14357 m² dhe tjetra në sipërfaqe prej 8859 m², pronë e Ndërmarrjes Shoqërore “Ereniku Prodhimtaria Primare” në Gjakovë, administruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Komunikata shpjegon se sipas aktit akuzues ky i dyshuar në vazhdimësi ka shfrytëzuar këto prona duke ndërtuar 3 objekte dhe duke vendosur një kontejner, pa ndonjë bazë të vlefshme juridike, duke kryer kështu veprën penale Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme.

Ndërsa, tre të pandehurit e tjerë si persona zyrtarë, V. I. dhe M. Sh., në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Komasacion nga Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, si dhe i pandehuri Gj. N., në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke qenë në dijeni se parcelat e sipërshënuara janë pronë e Ndërmarrjes Shoqërore “Ereniku Prodhimtaria Primare” në Gjakovë, thuhet më tutje në komunikatë.

“I pandehuri V. I., i ka mundësuar palës A. N., bartjen e pronës në emër të tij, duke u bazuar në kërkesën e tij verbale e në disa vendime të komasacionit, ashtu që me Vërtetimin e datës 16.12.2021, të pa protokolluar, vërteton se A. N., nga Gjakova është pronar dhe duke u bazuar në këtë gjendje faktike, Drejtoria për Kadastër në Gjakovë e bartë parcelën e lartcekur fillimisht në emër të A. N., e më pas me Kontratë të shitblerjes në mes të palës A. N. dhe të pandehurit G. P., prona ka kaluar në emër të pandehurit, pa pëlqim dhe njoftim të AKP-së si administruese e vetme e pronës shoqërore” – përshkruan komunikata.

Në anën tjetër aty thuhet se i pandehuri M. Sh., i ka mundësuar palës A. N., bartjen e pronës në emër të tij, duke nxjerrë aktvendim, si dhe duke përpiluar dhe nënshkruar kopjen e planit për parcelën, ndërsa, i pandehuri Gj. N., i ka mundësuar të pandehurit G. P. bartjen e pronës në emër të tij, duke nxjerrë aktvendim me të cilin të njëjtit i aprovohet kërkesa për bartjen në pronësi të parcelave.

Me këto veprime, sipas aktakuzës së ngritur, M. Sh. V. I. dhe Gj. N., secili veç e veç kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Zëdhënësja e Prokurorië së Gjilanit Liridona Xheladini i’a ka konfirmuar Kallxo.com se aktakuzën e ka ngritur prokurori Isuf Sadiku.