Foto KALLXO.com

Dy dëshmitarë dëshmojnë në gjykimin e të akuzuarve për tentim dërgimin në Zvicër të 130 kg drogë, të fshehur në dyer

Naim Osmanaj, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu të martën në Gjykatën e Prizrenit janë ballafaquar me deklarimet e dëshmitarëve.

Tre të dyshuarit po akuzohen se kanë organizuar transportimin e 130 kilogramë drogë nga Kosova për në Zvicër.

Dosja sqaron se në vitin 2017, të pandehurit nga Gjakova tentuan që drogën e fshehur në brendi të dyerve të drurit ta dërgonin në Ferizaj e Prizren. Ndërkaq, destinacioni ishte Zvicra.

Në seancën e sotme ka dëshmuar Visar Fanaj.

Fanaj para trupit gjykues deklaroi se është drejtor i firmës “Fanaj”, e themeluar në vitin 2016, e cila merret me transportimin e mallrave nga Kosova për në Zvicër dhe anasjelltas.

Dëshmitari pohoi se në vitin 2017, gjatë kontrollit policor në dyert të cilat ishin sjellë në depon e tij është gjetur sasia e narkotikëve.

“Gjatë kontrollit policor, zyrtarët policorë kanë gjetur sasi narkotike e cila ishte e vendosur në dyert e drurit të cilën ne si firmë kemi pasur ta transportojmë në Zvicër” – tha dëshmitari.

Visar Fanaj u shpreh se mallin e ka sjellë një taksist nga Gjakova, i cili i kishte lënë një faturë me një emër.

“Materiali që ka ardhur në kompaninë tonë nga ana e taksistit, i njëjti ka parashtruar edhe një faturë për atë mall e që në faturë ka shkruar emri Hysni Berisha. Këtë emër ne e kemi shkruar tek malli që na është dorëzuar neve në kuptim që kush e ka dorëzuar mallin apo kush e pranon” – ka deklaruar dëshmitari.

Dëshmitari ka mohuar të ketë dijeni se në cilën adresë është dashur malli të dërgohej.

“Në telefon më kanë thënë se malli kur arrin në depo në Zvicër, aty vijnë e marrin personat, emrat tani nuk më kujtohen” – deklaroi ai.

Në këtë gjykim ka dhënë dëshminë edhe dëshmitari Driton Ndreca.

Ndreca ka theksuar se ngelet pjesërisht si në deklaratën e dhënë në prokurori, ndërkaq, ai ka theksuar se i është bërë presion gjatë dhënies së deklaratës në Polici.

Dëshmitari në gjykim ka pohuar se më 25 tetor 2017 ka marrë një telefonatë nga i akuzuari Ukë Sadriaj, i cili i ka kërkuar numrin e një taksisti vetëm për bartjen e disa kauçëve.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për më 3,6 dhe 7 shkurt 2023.

Sipas aktakuzës, Naim Osmanaj, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu po akuzohen se pa autorizim kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me ligj si narkotikë, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ose ofrimit për shitje.

Aktakuza thotë se me datë 24 dhe 28 tetor 2017, në orët e paradites, duke përdorur dy taksi të ndryshëm nga Gjakova, saktësisht nga lapidari i fshatit Dobrosh të komunës së Gjakovës, të dyshuarit kanë dërguar në kompaninë me inicialet “F.C.”në Prizren, dhe në kompaninë me inicialet “E.T.” në Ferizaj gjithsej 22 dyer të drurit.

Në brendinë e tyre kanë paketuar në total 130 kilogramë e 649.32 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë me qëllim të eksportimit në Zvicër.

Me këtë të akuzuarit sipas Prokurorisë kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e pa autorizuar e narkotikëve.

Në nëntor të vitit 2017, Emisioni Drejtësia në Kosovë në rubrikën Policia kishte transmetuan filmimet ekskluzive nga aksioni i Policisë  në aksionin e koduar “Lozana”.

Xhirimet ekskluzive tregojnë se të dyshuarit kanë arritur ta maskojnë marihuanën nëpër dyer.

Aksioni është zhvilluar në Prizren, Ferizaj dhe katër lokacione në Gjakovë.

Në lokacionin e parë Policia në Prizren, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Gjakovë, gjatë punës operative dhe hetimeve të zhvilluara, arrin të identifikojë një depo në rajonin e Prizrenit, në të cilën dyshohej se ka substanca narkotike.

Për këtë ishte njoftuar prokurori dhe nga ai është marrë leje për kontroll, ku gjatë kontrollit në depo në  10 dyer ku dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Ndërkaq, në vazhdën e dytë të hetimeve më datë 28 tetor 2017, Policia arrin të identifikojnë një lokacion- depo të dytë në rajonin e Ferizajt dhe gjatë kontrollit në depo gjejnë 11 dyer ku po ashtu dyshohej për fshehje të narkotikëve.

Filmimet tregojnë se në këtë rast në brendi të dyerve nga druri janë gjetur 171 paketime rreth 400 gramë secila, me peshë totale rreth 71 kg e 196.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Gjatë këtij aksioni Policia ka konfiskuar gjithsej 315 paketime me peshë totale prej 130 kilogramë e 649.3 gramë.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK.

https://kallxo.com/ligji/dosja-e-prokurorise-si-tentuan-te-dyshuarit-ti-bartnin-130-kilograme-droge-nga-kosova-per-ne-zvicer/

https://kallxo.com/lajm/pamje-zbulimi-kosovar-droga-eksportohet-me-dyer/

https://kallxo.com/ligji/transporti-i-130-kilogrameve-marihuane-per-zvicer-u-tentua-nepermjet-dyerve-te-drurit-video/