Ish-kryeshefi i KPM-së, Luan Latifi, Foto: KALLXO.com

Shtyhet seanca kundër ish-kryeshefit të KPM-së, i akuzuar për korrupsion

Seanca e paraparë të mbahej sot ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, i cili po akuzohet për korrupsion është shtyrë për 1 nëntor.

Arsyeja e kësaj shtyrje është fakti se i akuzuari Latifi ka parashtruar kërkesë për përjashtimin e prokurores së rastit, Merrushe Llugiqi.

Ndërsa për këtë kërkesë nuk është marrë akoma anjë vendim nga kryeprokurori.

Sipas gjykatës, kjo paraqet pengesë procedurale e kështu seanca u shty për datën 1 nëntor.

Trupi gjykues në këtë rast është në përbërje të Alban Ajvazi – kryetar dhe anëtarët Sulltane Hoti dhe Kushtrim Shyti.

Sipas aktakuzës, Latifi në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media dhe Arben Bilalli, si drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, kanë kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “TelKos”.

Dosja e prokurorisë tregon se si ryshfeti ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “TelKos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se ajo kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke deklaruar se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Ndërsa, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment, i akuzuari Bilalli sipas prokurorisë i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për t`u bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Prokuroria tutje pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro.