FBI, Foto: Facebook

Shpërthim pranë një klinike të fertilitetit në Kaliforni, FBI e quan akt terrorizmi

Autoritetet amerikane kanë identifikuar një të dyshuar për shpërthimin e ndodhur pranë një klinike fertiliteti në Palm Springs të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bëhet fjalë për Guy Edward Bartkus, 25-vjeçar, për të cilin Byroja Federale e Hetimit (FBI) beson se ai është viktima e vetme e incidentit, raporton BBC.

Sipas hetuesve, Bartkus aktivizoi një mjet shpërthyes jashtë klinikës dhe tentoi që të transmetonte drejtpërdrejt sulmin, ndërkohë që hetuesit po mbledhin të gjitha lëvizjet e tij para shpërthimit.

Shpërthimi ndodhi pak para orës 11:00 sipas orës lokale, më pak se një milje nga qendra e Palm Springs, pranë disa bizneseve, përfshirë Qendrat Amerikane të Riprodhimit (ARC). Nga klinika kanë thënë se askush nga institucioni nuk u lëndua.

FBI e ka cilësuar sulmin si një “akt të qëllimshëm terrorizmi”, duke theksuar se klinika e fertilitetit ishte objektivi i synuar i 25-vjeçarit.

Bartkus ishte banor i Twentynine Palms, një qytet rreth një orë larg nga Palm Springs. FBI ka ekzekutuar një urdhër kontrolli në banesën e tij, duke evakuuar banorët përreth. Policia ka theksuar se nuk ka ndonjë kërcënim të vazhdueshëm për qytetarët, as në vendin e shpërthimit dhe as pranë shtëpisë së të dyshuarit.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u ndje më shumë se një milje larg dhe konsiderohet si “skena më e madhe e bombardimeve” që FBI ka parë në Kaliforninë Jugore në kujtesën e fundit. Disa ndërtesa u dëmtuan, përfshirë klinikën ARC, ku një pjesë e murit u shkatërrua plotësisht.

Përveç të dyshuarit të vdekur, katër persona të tjerë u plagosën në shpërthim, por janë liruar nga spitali. Klinika ka deklaruar se laboratori i tyre, përfshirë të gjitha vezët dhe embrionet, mbeti “plotësisht i sigurt dhe i padëmtuar”.