Substanca e dyshuar narkotike e sekuestruar në Dubravë, Foto: Policia e Kosovës
Shkoi për vizitë tek i burgosuri, në pampersin e të miturit gjinden dy qese marihuanë
Zyrtarët në Shërbimin korrektues në Dubravë gjatë kontrollit te një familjare që ka vizituar një të burgosur kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 3 gramë substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 26.05.2026, rreth orës 14:00.
Kurse, Qendra Korrektuese ka njoftuar se gjatë bastisjes nga stafi në pampersin e një femiju të mitur janë zbuluar dy qese të bardha transparente me substancë të dyshuar narkotike.
Sipas Qendrës, menjëherë pas zbulimit, vizita është anuluar dhe është njoftuar Policia, përkatësisht njësia përkatëse hetimore në Pejë.
“E dyshuara është arrestuar dhe pas inicimit të rastit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.” – njofton Policia.
Ndaj të burgosurit që dyshohet se ndërlidhet me rastin, Qendra Korrektuese njofton se janë ndërmarrë masa disiplinore dhe se është transferuar në trajtim themelor deri në përfundim të hetimeve.
Rasti është regjistruar – blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.