Shkatërrohet instalacioni i YIHR-së

Një instalacion i vendosur afër Teatrit Kombëtar në Prishtinë nga organizata ‘Youth Initiative for Human Rights – Kosovo’ (YIHR) është shkatërruar sot.

Ky instalacion sipas nismëtares nga YIHR, Marigona Shabiu kishte qëllim prezantimin e parimeve për ballafaqim me të kaluarën duke ilustruar raste konkrete kur politikanët kosovarë i kanë vlerësuar me medalje e pozita të dënuarit për krime lufte.

“Kemi nxjerrë disa raste konkrete se si këto parime janë shkelur nga disa figura publike, nga politikanët konkretisht, siç ka qenë rasti i ish-presidentit Hashim Thaçi i cili e ka dekoruar me medalje presidenciale Rrustem Mustafën i cili ka qenë i dënuar për krime lufte. Gjithashtu edhe shembulli i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj i cili e ka emëruar Sylejman Selimin i dënuar për krime lufte si këshilltar politik për siguri”, ka thënë Shabiu për KALLXO.com.

Shabiu supozon që instalacioni mund të jetë demoluar se janë vendosur figura politike kosovare në njërën anë ndërsa në anën tjetër një ish-ministër serb që ka qenë në Qeverinë e Kosovës dhe që ka përdorë gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

“Një prej parimeve që na e promovojmë përmes kësaj nisme është që personat e dënuar për krime lufte nuk duhet të mbajnë pozita publike e as të glorifikohen as lavdërohen si heronj. Edhe këto dy raste ne i kemi marrë si raste ilustruese që nuk duhet të ndodhë kështu as politikanët e as shoqëria në përgjithësi nuk duhet t’i konsiderojnë të dënuarit për krime lufte si heronj”, ka thënë tutje Shabiu.

Sipas saj, dëshmitarët i kanë thënë që dy djem të rinj e kanë demoluar instalacionin.

Policia për momentin gjendet në vendin e ngjarjes. KALLXO.com është duke pritur një përgjigje në lidhje me rastin.

Instalacioni; Fotografi:KALLXO.com

Instalacioni; Fotografi:KALLXO.com