Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Lulet madhështore që tentojnë të tjetërsojnë politika shtetërore dhe shoqërore
Nga 99 kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, kupola qendrore e saj është shndërruar në nikoqire të katër luleve madhështore të krijuara nga pëlhura, të cilat tentojnë të tjetërsojnë gjendjen shoqërore dhe politike përmes historisë së intimitetit.
Të ekspozuara në një vend publik, lulet e vdekura fizikisht, por të gjalla për nga nuancat e çelura: boshtra, farat e palmës, luleqershia dhe karafili, të përkufizuara si “Lule Mosmëharro” kanë ngjyrosur ‘qiellin’ e objektit me arkitekturë unike.
Me qëllim shpërfaqjen e historisë personale të njerëzve, dashurinë mes dy artistëve të të njëjtit seks, këto lule tentojnë të mishërojnë format e dashurisë, dëshirat seksuale, intimitetin, lidhjet dhe identitetin e personave të shtypur nga politika dhe normat e shoqërisë.
Dy artistët, Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano në “Javën e Krenarisë” pohuan se këto lule janë rezultat dhe simbol i lidhjes së tyre homoseksuale.
Përmes këtij instalacioni ata po tentojnë që të kontribuojnë në Kodin e Ri Civil të Kosovës që është në proces hartimi e në të cilin parashihet të krijohen mekanizma ligjor për lejimin e martesave të të njëjtit seks.
“Këto lule që i kemi bërë goxha të mëdha, janë rezultat i luleve të vogla që i kemi shkëmbyer me njëri-tjetrin gjatë 10 viteve lidhje. Pa qenë lulet e vogla, nuk mund të krijohen lule të mëdha”, tha autori i instalacionit, Petrit Halilaj gjatë hapjes së edicionit të katërt të “Autostrada Biennale”.
Lulet nga pëlhura, vitin e kaluar kishin përshkuar edhe muret e ‘Pallatit të Kristalit” në Madrid të Spanjës, me qëllim që përmes pronës publike t’i ipet dimension publik çështjeve personale të cilat supozohet se regresohen nga politika shtetërore dhe parimet shoqërore.
“Këto lule i kemi sjellë për shoqërinë tonë. Në vitet e 80-ta përmes protestave në ambiente publike është kërkuar liri dhe barazi. Edhe ne sot në ambiente publike po kërkojmë liri e barazi në kuadër të ‘Javës së Krenarisë’, bashkë edhe krenarë” tha Halilaj.
Lulet madhështore të vendosura në objektet e kujtesës kolektive sikurse në Kosovë, ashtu edhe në Spanjë shërbejnë si përkufizues të potencialit që kujtesa personale bart me vete për ta rishkruar gradualisht kujtesën kolektive.
Alvaro Urbano tha që këto lule janë manifestim i lidhjes së tyre dhe simbol i mirëkuptimit dhe dialogut për komunitetin LGBTI.
“Është shumë e rëndësishme për ne që sot të jemi këtu e të festojmë për jetën dhe dashurinë. Diversiteti e bënë Prishtinën një vend më të mirë për lulet tona, lulet që i kemi shkëmbyer mes vete dhe mes familjeve tona”, tha Urbano.
Edicioni i këtij viti, i cili filloi dje, do të mbahet deri më 11 shtator, nën moton “Çka nëse një rrugëtim?”
Bienalja Autostrada filloi nga lokaliteti i saj në Prizren, Kosovë në 2014 (edicioni i parë 2017) i ndërtuar mbi një ndjenjën e mungesës, nevojës për më shumë shkëmbime kulturore në rajon dhe një hapjeje për botën.
Ai u vendos si një pikë lidhëse dhe një itinerar në hartën e Ballkanit Perëndimor.