Shefi i OSBE-së në Kosovë reagon për kërcënimet ndaj policëve serbë në veri

Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE në Kosovë, Michael Davenport, ka reaguar pas raportimeve se janë kërcënuar serbët e punësuar në Policinë e Kosovës.

Davenport ka thënë se misioni i OSBE-së mirëpret dhe mbështet aktivisht angazhimin e Policisë së Kosovës në rritjen e kontaktit me të gjitha komunitetet.

“Misioni i OSBE-së mirëpret dhe mbështet aktivisht angazhimin e Policisë së Kosovës në rritjen e kontaktit me të gjitha komunitetet dhe prioritizimin e rekrutimit të kadetëve nga komunitetet joshumicë në mbarë Kosovën. Një forcë policore profesioniste kudo duhet të pasqyrojë diversitetin e popullsisë që është aty për t’i shërbyer”- ka shkruar Davenport në Twitter.

Shefi i misionit të OSBE-së deklaron se të gjitha përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët e PK-së apo kadetët që fillojnë karrierën në polici “duhet të dënohen pa rezerva”.

“Të gjitha përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët e PK-së apo kadetët që fillojnë karrierën në polici duhet të dënohen pa rezerva. Ata që janë përgjegjës duhet t’i nënshtrohen me vendosmëri llogarisë”- është shprehur ai.

45 policë të komunitetit serbë kanë nisur punën tashmë në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Në rrjete sociale janë duke qarkulluar fotografi e emra të policëve të rinj nga komuniteti serb që janë bërë pjesë e institucionit kyç të sigurisë, Policisë së Kosovës.

Në aplikacionin Telegram ka nisur shënjestrimi ndaj disa prej pjesëtarëve të rinj të Policisë, duke thënë se ky veprim nga ana tyre nuk është i mirë pasi nga ky institucion po arrestohen qytetarët serbë.

Faqet serbe i vendosin si shënjestër qytetarët e komunitetit serb që diplomuan dhe nisën punën në Policinë e Kosovës