Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Siguria publike e Mitrovicës nën udhëheqjen e Bedri Hamzës

Komuna e Mitrovicës buxhetin për vitin 2023 e ka 25 milionë euro. Prej tyre, për Shërbime publike, mbrojtje civile dhe emergjenca janë planifiikuar të shpenzohen 777 mijë e 590 euro. Kurse prej kësaj shume janë ndarë 496 mijë e 450 euro për zjarrfikësit, si dhe 281 mijë e 140 euro për menaxhimin e katastrofave natyrore.

E pikërisht një katastrofë natyrore e goditi Mitrovicën dhe disa komuna të tjera të Kosovës, në fillimin  e vitit 2023.

Vërshimet  vlerësohet se kanë shkaktuar miliona euro dëme në Mitrovicë.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni, për KALLXO.com, ka bërë të ditur se në buxhetin për vitin 2023 nga Komuna janë ndarë 150 mijë euro për ndriqimin publik dhe 150 mijë euro të tjera për qentë endacakë.

Ndërsa në vitin 2022, Komuna e Mitrovicës ka shpenzuar 18 mijë e 900 euro për të blerë paisje emergjente për zjarrfikësit e komunës, si dhe 14 mijë e 670 euro për furnizim me uniforma, po ashtu për zjarrfikësit.

Por, Maxhuni thotë se Komuna e Mitrovicës prej që është zgjedhur Bedri Hamza në krye të komunës, nuk k a pasur asnjë rast të ekstremizmit, terrorizmit apo radikalizmit.

“Prej që është zgjedhur Hamza kryetar i komunës, nuk është regjistruar asnjë rast që ka të bëjë me ekstremizmin, terrorizmin apo radikalizmin. Edhe para Hamzës nuk është që ka pasur ndonjë rast të tillë, pasi në këtë aspekt Mitrovica kryesisht konsiderohet e komunë e qetë” – ka thënë Maxhuni për KALLXO.com.

Maxhuni ka thënë se ka pasë aktivitete nga organizata të shoqërisë civile në Mitrovicë, që janë marrur me këtë temë dhe sipas tij, Komuna në disa raste i ka ndihmuar me logjistikë.

Ndërsa në maj të vitit 2022, Komuna e Mitrovicës ka marrë pjesë në trajnimin e organizuar nga CBM, që ka pasur për qëllim të ngritjes së kapaciteteve të përfaqësuesve të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) dhe të institucioneve të tjera lokalë, në proceset e ri integrimit dhe rehabilitimit të të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak, si dhe për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në qytetin e Mitrovicës.

Maxhuni ka bërë të ditur se pjesë e këtij trajnimi kanë qenë anëtarët e KKSB-së, zyrtarët komunal, zyrtarët të institucioneve të sigurisë, mësimdhënës, psikologë, sociologë dhe drejtorë shkollash.

Trajnimi ka zgjatur katër ditë dhe ka qenë i financuar nga organizata GCERF.

Sipas Maxhunit, Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi është funksional dhe mbledhjet e këtij këshilli mbahen çdo muaj.

Por, drejtori Maxhuni thotë se Komuna e tij ka mungesë të psikologëve nëpër shkolla.

“Nuk kemi psikolog nëpër shkollat e qytetit. Po besojmë që këtë vit do të fillojmë disa me i pranu, në bazë të procedurave të rekrutimit” – thotë Maxhuni, pa treguar numrin se sa do të rekrutohen.

Përveç vërshimeve që goditën komunën e Mitrovicës së fundmi, Bahtir Maxhuni, drejtor për Siguri dhe Emergjenca, thotë se siguria publike në përgjithësi në Mitrovicë është kryesisht e qetë.

“Gjendja e sigurisë publike në komunën tonë është në përgjithësi e mirë dhe normale. Kuptohet, përveç këtyre vërshimeve, vitin e kaluar kemi pasur situatë shumë të qetë dhe vlerësohet se ka rënie të kriminalitetit në qytetit tonë” – ka thënë Maxhuni.