Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Siguria publike nën udhëheqjen e Imri Ahmetit

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, derisa kandidonte për t’u rizgjedhur në këtë pozitë, në debatin zgjedhor për zgjedhjet komunale të vitit 2021, ishte përkujdesur që të mos jap premtime, kur ishte pyetur për sigurinë publike dhe parandalimin e ekstremizmit në komunën e Lipjanit.

Ahmeti në ‘Debat Përnime’ kishte thënë se Ligji për menaxhimin e fatkeqësive determinon, sipas tij, saktësisht përgjegjësitë e komunave dhe ndërton mekanizmat mbi bazë të të cilave ndërtohet plani i veprimit.

“Në kuadër të këtij mekanizmi janë të inkuadruar të gjithë faktorët determinant në kuadër të pushtetit lokal, duke filluar edhe nga bashkësitë fetare, stacioni policor dhe mekanizmat e tjerë që kanë të bëjnë me fenomente të tilla” – thoshte Ahmeti gjatë fushatës.

Më shumë se 1 vjet e gjysmë në këtë mandat, nënkryetari i Lipjanit, Diamant Bytyqi, thotë se gjendja me sigurinë publike në Lipjan është e qetë dhe stabile.

Për vitin 2023 buxheti i Komunës së Lipjanit është 19 milionë e 779 mijë euro. Një pjesë e konsiderueshme e këtij buxheti, sipas nënkryetarit Bytyqi, shkon edhe për sigurinë publike, kamera të sigurisë, ndriqim publik e trajtimin e qenve endacakë.

“Përafërsisht afër 1 milionit shkon shuma që është paraparë për ndriqim publik, mirëmbajtje . Për dy vite janë kontrata afatgjate kontrata kornizë, por shuma e përgjithshme e instalimit të rrjetit të ri të ndriqimit publik, shtyllave që dëmtohen në aksidente të ndryshme që duhet të ndërrrohen poqat dhe këto, afërsisht janë shuma të cilat afrohen aty te 1 milionëshi” – ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.

Më 20 prill 2020 Komuna e Lipjanit ka nënshkruar një kontratë për ‘Ndertimi i trotuarit me ndriqim publik në Gllavice-Marevc’ me vlerë prej 85 mijë e 435 euro.

Më 18 korrik 2022 ka nënshkruar një tjetër kontratë për ‘Ndërtimi i trotuareve me ndriqim publik në Akllap’, në vlerë 103 mijë e 965 euro. Si dhe me 29 shtator 2022 është nënshkruar kontrata tjetër për  ‘Ndriqimi publik në teqe’, e cila ka vlerën e 27 mijë e 890 eurove.

Në lidhje me kamerat e sigurisë, Bytyqi ka bërë të ditur se në bashkëpunim me OSBE-në në qytetzën e Janjevës do të vendosen disa kamera.

“Për momentin jemi në bashkëpunim me OSBE-në në qytetzën e Janjevës për një projekt ku do të instalohen pesë deri shtatë kamera të sigurisë, që do të kontribuojnë edhe atje në stacionin policor në Janjevë, për një siguri të përgjithshme të qytetzës së Janjevës. Është një projekt që realizohet nga OSBE-ja, ne jemi veq bashkë realizues të këtij projekti”- ka thënë Bytyqi.

Një problematikë që sfidon shumicën e komunave në Kosovë, ajo e qenve endacakë, nënkryetari Diamant Bytyqi thotë se është sfidë edhe në Komnënb e Lipjanit.

Një projekt për trajtimin e qenve endacakë kishte dështuar në vitin 2022 për shkak të procedurave të tenderimit, ndërsa nënkryetari shpreson që projekti të finalizohet në 2023-ën.

“Edhe për qentë endacakë, është një problematikë vërtetë e theksuar për shkak se e cënon sigurinë publike dhe janë ndarë 30 mijë euro vitin e kaluar, por për shkak të procedurave të prokurimit jemi detyruar që me i bartë për këtë vit, edhe është një projekt që do të realizohet për trajtimin e qenve endacakë, të paktën në zonat urbane ku ka frekuentim më shumë të nxënësve, të fëmijëve të pleqve apo pensionistëve” – ka bërë të ditur Bytyqi për KALLXO.com

Në anën tjetër, nga rreth 30 shkolla fillore dhe të mesme që janë në komunën e Lipjanit, në këto shkolla vetëm pesë psikologë janë të angazhuar.

Për Bytyqi ky është një numër shumë i vogël në krahasim me numrin e nxënësve dhe të shkollave.

“Trendi i ri, dinamika e re në rrjetet sociale, vetë trendi i ri botëror edhe dinamika e jetës po e bën shumë të nevojshme edhe prezencën e psikologëve në shkolla, për shkak se është shumë e nevojshme jo vetëm në zonat e qytetit e zonat urbane, por edhe në zonat rurale të ketë psikolog në shkolla”.

Për rreth një vjet e gjysmë në këtë mandat qeverisës, Komuna e Lipjanit sipas Bytyqit, nuk ka pasur ndonjë rast të shënuar që ka pasur ndërlidhje me ekstremizmin, terrorizmin, apo radikalizmim/

Ai thotë se nëpër mbledhjet e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), gjatë këtij mandati nuk është raportuar ndonjë rast i tillë.

“Edhe në takimet e Këhillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), nuk është që është diskutuar ndonjëherë ndonjë rast që lidhet me ekstremizmin ose që qojnë rreth këtyre destinacioneve”.

Nënkryetari Diamant Bytyqi e vlerëson si të qetë gjendjen me sigurinë publike në Lipja, por një fenomen shqetësues sipas tij, mbetet siguria në shkolla, sidomos në ato të mesme.

“Për shkak se kemi pasur telashe, dy ose tre herë, dy therje dhe rrahje në mes të nxënësve. Kjo ndoshta pak e cënon atë sigurinë” – thotë Bytyqi.

“Kemi bashkëpunim të mirë edhe me Qendrën për Punë Sociale (QPS), duke marrë parasysh që një punë të jashtëzakonshme në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, është një punë e mirë që bëhet dhe në koordinim me institucionet lokale”.