Siguria publike e Vitisë nën udhëheqjen e Sokol Halitit

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, teksa garonte për tu rizgjedhur kryetar i Vitisë, Sokol Haliti ishte përkujdesur që të mos jap shumë premtime rreth planit për sigurinë publike.

Më shumë se një vit pas rizgjedhjes së tij në krye të Vitisë, nga Komuna vlerësohet se gjendja me sigurinë publike atje është e shkëlqyeshme.

Nënkryetari i Komunës, Hasan Aliu, ka bërë të ditur se buxheti i Vitisë për vitin 2023 është 14 milionë e 996 mijë e 357 euro, në të cilin përfshihen investimet kapitale, pagat dhe mëditjet, si dhe shërbimet tjera komunale.

Aliu ka thënë se nëpër disa lokacione të komunës janë të vendosura më shumë se 30 kamera të sigurisë, që sipas tij kanë kushtuar rreth 35 mijë euro.

“Komuna e Vitisë në kamera të sigurisë dhe në ndriqim publik është e përkushtuar dhe vlen me theksu se i kemi më shumë se 30 kamera në dy lokalitete më të mëdhaja. Në qytetin e Vitisë dhe në Pozheran si lokalitet i dytë dhe të gjitha shkollat e Vitisë i kanë kamerat e sigurisë” – ka thënë Aliu.

Sipas tij, këto kamera i monitoron Policia e Kosovës.

Në korrik të vitit të kaluar,  Komuna e Vitisë ka nënshkruar një kontratë për ‘Furnizimin dhe montimin e kamerave në QKMF’, me vlerë prej 2 mijë e 977 euro

Një sfidë tjetër e Komunës së Vitisë mbetet edhe numri i psikologëve nëpër shkolla. Në 37 shkolla fillore dhe të mesme që ka Vitia, aktualisht i ka të angazhuar vetëm 9 psikologë.

Nënkryetari Aliu thotë se edhe pse numri sipas Udhëzimit Administrativ është i plotësuar, nevoja për psikologë prapë është e madhe.

“Megjithatë duhet ta kemi parasysh që në komunën e Vitisë funksionale e kemi 17 shkolla fillore të mesme të ulëta, tri mesme të larta, e ajo që është karakteristike në 17 shkolla amë janë të bashkangjitura edhe 17 paralele. Prandaj, duke e pasur parasysh numrin e shkollave 37 e pamundëson funksionalizimin e plotë të psikologëve nëpër shkolla, për shkak edhe të terenit që duhet më lëvizë” – ka thënë Aliu për KALLXO.com.

“Ajo që është me rëndësi e kemi edhe një çerdhe dhe e kemi një çerdhee e cila është paralele e ndarë që funksionon në Pozheran, domethënë i kemi dy. Krejt kjo numri i piskologëve nëse e marrim në këtë shpërndarje gjeografike, funksionimit të shkollave dhe çerdheve është i vogël. Prandaj kur themi që është i vogël, automatikisht nënkupton që e kemi edhe mungesë të psikologëve”.

Tutje, sipas Hasan Aliut, prej që është rizgjedhur Sokol Haliti në krye të Vitisë, në këtë komunë nuk ka pasur ndonjë rast të theksuar të ekstremizmit, radikalizmit apo terrorizmit.

Ai thotë se kjo temë diskutohet në çdo mbledhje të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), që përbëhet nga institucionet e sigurisë e përfaqësues të bashkësive fetare.

“Duke e pasur parasysh që si komunë kemi pasur edhe me Qendrën Kosovare të Studimeve në Siguri (QKSS), kemi pasur edhe takime të tilla, por kemi pasur edhe një takim në vitin e kaluar ‘stop dhunës’, që kanë qenë të gjitha mekanizmat e sigurisë duke filluar prej nivelit qendror e njësitë rajonale. Ka pasur edhe nxënës të shkollave të mesme, por edhe anëtar të KKSB-së të cilët i kanë dhënë opinionet e veta lidhur me stopimin e dhunës, pavarësisht drejtimin që na vjen ajo” – thotë Aliu.

Një tjetër problem sikurse në shumë komuna tjera të Kosovës, janë edhe qentë endacakë.

Sipas Aliut, shumë prej tyre vijnë nga komunat e tjera për rreth.

“Por megjithatë  e kemi kontratën të cilën e kemi të lidhur me një grup të veterinarëve të cilët janë të regjistruar si subjekt. Vlera e saj është 17 mijë euro dhe në momentin e përfundimit besojë që do të bëjmë sërish thirrje dhe me të vërtetë që ta kemi situatën në kontroll. Por megjithatë përpjekjet janë duke u bërë maksimale dhe në të gjitha format” – ka bërë të ditur Aliu.

Sipas Aliut, në përgjithësi gjendja me sigurinë publike në Viti është e shkëlqyeshme, pavarësisht që në këtë komunë janë tri bashkësi fetare, islame, katolike dhe ortodokse.

“ Edhe pse komuna e Vitisë shquhet edhe si komunë ndoshta me etnitete edhe serb, por shquhet edhe për nga konfeksioni fetar që janë të përfshiëra tri fe. Fatmirësisht kanë bashkëpunim të shkëlqyer, ndoshta duke e falenderu edhe kryetarin e komunës për shkak se për cdo vit nmban takim, cdo fillim viti dhe jep mesazh të mirë te qytetarët”- ka thënë Aliu.

Në qershor të vitit të kaluar, Komuna e Vitisë ka nënshkruar një kontratë për ‘Furnizim me pajisje për fikjen e zjarrit dhe këpuca për zjarrfikësit e njësisë në Viti’, me vlerë 5 mijë e 765 euro.