Kontrollimi i fakteve të BIRN: Për kosovarët, inflacioni i lartë godet më shumë

Nje familje mesatare kosovare veçse po haste në vështirësi për ta përballuar jetesën para se inflacioni të shënonte rritje. Ekonomistët thonë se autoritetet kanë nevojë për masa më konkrete për t’i ndihmuar ata me krizën e kostos së jetesës.

Në vitin 2021, sipas të dhënave zyrtare, kur inflacioni në Kosovë ishte 3.4 për qind, shportë mesatare javore e blerjeve për një familje prej katër anëtarësh kushtonte afërsisht 62 eur. Në vitin 2022, kur inflacioni ka arritur në 11.6 për qind, e njëjta shportë me ushqime bazë kushton afërsisht 82 euro.

Të dhënat e Eurostat e vendosin Kosovën në mesin e 15 vendeve evropiane që e përfunduan vitin 2022 me një normë inflacioni mbi 11 për qind, si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe si rezultat i drejtpërdrejtë i pushtimit rus të Ukrainës.

Mirëpo, varësia nga importet, shkalla e lartë e papunësisë dhe pagat e ulëta nënkupton se kosovarët po e ndjejnë krizën e kostos së jetesës më shumë se shumica. Kritikët thonë se masat e qeverisë për t’i zbutur efektet nuk janë mjaft konkrete dhe rrezikojnë vetëm ta nxisin kërkesën.

“Inflacioni prek më shumë se pjesën e popullsisë që shpenzon 60-70 për qind të pagës për ushqim, e cila është pjesa më e varfër e popullsisë”, thotë Muhamet Mustafa, bashkëthemelues i Institutit Riinvest.

T’ia dalësh mbanë duke mos u futur në borxhe

Kosovarët mesatarisht kishin pak hapësirë ​​për manovrim kur bëhej fjalë për financat familjare edhe para se inflacioni të rritej.

Në vitin 2020, kur norma e inflacionit ishte vetëm 0.2 për qind, Agjencia e Statistikave raportoi se më shumë se gjysma e familjeve nuk mund t’i përballonin pushimet njëjavore. Deri në vitin 2022, ata po përballeshin me sigurimin e ushqimit, ngrohjes dhe karburantit.

Eksperti i ekonomisë Agon Nixha thotë se Kosova para pandemisë ka pasur “norma normale/stabile të inflacionit”. Gjithçka ndryshoi në vitin 2021, “për shkak të rritjes së kërkesës në Kosovë dhe në nivel global në përgjithësi si rezultat i injektimeve financiare në ekonomi për t’i zbutur efektet e pandemisë”.

Deri në fund të vitit të kaluar, një kilogram mish viçi kushtonte 9.84 euro, krahasuar me 7.98 euro një vit më parë; Çmimi i 30 vezëve u rrit nga 1,19 euro në 4,25 euro gjatë së njëjtës periudhë, ndërsa një litër vaj gatimi që kushtonte 1,69 euro në dhjetor të vitit 2021 kushtonte 2,19 euro në fund të vitit të kaluar.

Padyshim se pagat nuk e kanë mbajtur ritmin. Paga mesatare mujore neto në Kosovë ishte 416 euro në vitin 2020 dhe vetëm 16 euro më shumë në vitin 2021. Kjo i bën kosovarët më të ndjeshëm ndaj rritjeve edhe të lehta të çmimeve.

Edhe para se inflacioni të rritej, në vitin 2020 Agjencia e Statistikave të Kosovës raportoi se 82.3 për qind e popullsisë po hasin në vështirësi për t’ia dalë mbanë; pothuajse një e katërta hasën në vështirësi për ta mbajtur shtëpinë e tyre të ngrohtë.

Ndërkohë që çmimet janë rritur mesatarisht më shumë se 11 për qind në vitin 2020, disa elementë thelbësorë u rritën shumë më tepër: vajrat dhe yndyrat me 40 për qind; lëndë djegëse të ngurta dhe dru zjarri 34,8 për qind; bukë dhe drithëra 25 për qind; qumësht, djathë dhe vezë 22 për qind.

Në përpjekje për ta zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve, në mars të vitit 2022, qeveria e Kosovës miratoi një paketë prej 100 milionë eurosh në financa për grupet e cenueshme, të tilla si pensionistët dhe studentët, e ndjekur nga 150 milionë euro të tjera në muajin shtator.

Mirëpo derdhja e parave në ekonomi mund të jetë kundërproduktive, paralajmërojnë disa ekspertë, duke e rritur kërkesën. Disa, si Kryetari i Dhomës së Ekonomisë, Lulzim Rafuna, kanë argumentuar në favor të rregullimit të pagave në mënyrë që të mbahet ritmi me inflacionin do të ishte më efektiv.

“Politikat e qeverisë nuk janë aq selektive apo efikase sa duhet të jenë”, tha Mustafa nga Riinvest.

“Ndërhyrjet sociale duhet të jenë selektive për personat me varfëri të skajshme apo relative, pensionistët që nuk kanë asnjë të afërm pune që i ndihmon, apo për nevoja të tilla si shërbimet shëndetësore, veçanërisht duke i marrë parasysh çmimet e analizave shëndetësore që kushtojnë njësoj si në Europë”.

Ministria e Financave nuk i është përgjigjur një kërkese për koment lidhur me këtë shkrim.

Masa më të sofistikuara

Forca drejtuese kryesore e inflacionit në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, është varësia e vendit nga importet.

“Lufta në Ukrainë, duke shkaktuar një rritje të çmimeve të energjisë, e përshpejtoi trendin rritës që kishte nisur më herët, veçanërisht në Evropë”, thotë Nixha për BIRN. “Duke qenë një ekonomi konsumuese shumë e varur nga importi, Kosova arriti ta importojë krizën nga jashtë, duke e shënuar shkallën më të lartë të inflacionit që kur ekziston si shtet.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Kosova ka importuar 4.7 milionë euro mallra më shumë se sa ka eksportuar.

Në një raport të publikuar në nëntor të vitit 2022, grupi hulumtues me seli në Kosovë, Instituti GAP, arriti në përfundimin se qeveria duhet të kishte marrë masa për ta rritur prodhimin vendor në mënyrë që t’i mbante çmimet në rënie.

Mirëpo, shton Nixha, “rritja e kërkesës nuk u shoqërua me rritje të investimeve nga kompanitë për zgjerim të kapaciteteve për shkak të pasigurisë me situatën e krijuar”.

Sipas Mustafës, një opsion tjetër do të ishte që Kosova t’i ulte disa taksa, siç është TVSH-ja në karburant, ose të vendosë kufizime të çmimeve siç bëri në gusht të vitit 2022 kur qeveria mori vendim për çmimin tavan për derivatet e naftës. Cmimi tavan zgjati deri në fillim të nëntorit.

Instituti GAP, megjithatë, paralajmëroi se masat e tilla të kontrollit të çmimeve janë efektive vetëm nëse zbatohen në mënyrë të vazhdueshme.

Mustafa përmend gjithashtu rëndësinë e krijimit të rezervave shtetërore si një mënyrë për ta luftuar inflacionin marrë parasysh faktin se përdorimi i euros nga Kosova e largon mekanizmin e politikës monetare.

“Shteti duhet të ketë rezerva vaji, sheqeri, mielli dhe mallra të tjera bazë që mund t’i nxjerrë në treg duke i shitur me një çmim shumë më të ulët se importi,” thotë ai për BIRN.

Drejtori i rezervave shtetërore në ministrinë e tregtisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Manipulimi me çmime

Manipulimi i çmimeve ishte gjithashtu një problem në vitin 2022, thotë Nixha, për BIRN se “shumë operatorë lokalë përfituan nga situata e krijuar nga rritja e çmimeve në raport me kostot e tyre, për të gjeneruar më shumë fitim”.

“Institucionet përkatëse mund të jenë më të shkathëta në parandalimin e kësaj”, shton ai.

Në mars të vitit të kaluar, policia i mbylli të paktën dy supermarkete pasi gjeti dhjetëra mijëra shishe vaj gatimi në magazina të mbyllura. Dyqanet kishin pretenduar mungesë të vajit dhe blerësit ishin dyndur për të blerë vaj gatimi pasi çmimi u rrit me më shumë se një euro brenda një dite në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 3.49 euro për shishe. Një muaj më parë një shishe vaj gatimi kushtonte 1.69 euro.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit paralajmëroi në atë kohë se do të ndërmerrte masa kundër operatorëve ekonomikë të cilët “abuzonin pozitën e tyre monopolistike apo dominuese në treg” dhe “përndryshe i rregullojnë padrejtësisht çmimet e blerjes apo shitjes së mallrave”.

Ky shkrim fillimisht wshtw publikuar nw Balkan Insight