Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Planet e Ferizajt në zgjidhjen e problemeve në sigurinë publike

Për tu përballur me sfidat e sigurisë dhe problemet në dhunën në komunitet komunës së Ferizajt i duhen të paktën edhe 12 psikolog dhe një varg investimesh të tjera.

Komuna ka hartuar një analizë sipas të cilës në shkollat e  kësaj komune duhet të jenë prezent 12 psikolog ndërsa investimet duhet të orientohen edhe në hapsirat publike. 

38 milionë euro është buxheti total i miratuar nga ana e Komunës së Ferizajt, për vitin 2023.

Nga kjo shifër, nga drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë për ndriqim publik janë ndarë 890 mijë euro, ndërsa në vitin 2022 janë shpenzuar rreth 500 mijë euro.

Kur ishte pyetur gjatë fushatës zgjedhore në emisionin ‘Debat Përnime’ për sigurinë publike, Aliu krahas luftimit të ekstremizmit, kishte përmendur edhe çështjen e ndriqimit publik e të kamerave të sigurisë.

“Sigurisht që ne e kemi bërë me të gjitha komponentët e sigurisë dhe do ta bëjmë, duke e përfshirë madje edhe klerikët fetarë, sepse u përmend edhe çështjet e ekstremizmit, ne e kemi bërë poashtu si komunë. Kemi organizuar ligjërata, kemi organizuar trajnime, po ashtu nëpër shkolla dhe me imamët e bashkësisë islame të Ferizajt. Por e thashë, që është çështje komplekse dhe ne i kemi të gjitha planet që ju i përmendet. Por investimet që kanë të bëjnë me sigurinë publike janë edhe çështje që kanë të bëjnë me sinjalistikë, kamera të sigurisë  e po ashtu edhe me plane konkrete”, kishte thënë Aliu më 17 shtator  2021.

Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Albion Sherifi, thotë për KALLXO.com  se fillimisht në projektin e instalimit të tyre në vitin 2015 janë vendosur gjithsej 134 kamera të sigursë nëpër qytet.

“Gjatë viteve të kaluara për shkak të ndryshimeve infrastrukturore të rrugëve, hekurudhës ne qytet dhe punimeve nëpër nënkalime janë zhvendosur disa pozicione me rreth 20 kamera,ish Semaforët, Nënkalimi, afër Plus Marketit, afër fshatit Nikadin, të cilat parashihet të rivendosen pas përfundimit të punimeve” – ka thënë Sherifi.

Sipas tij, aktualisht në sistemin e kamerave në Ferizaj janë 114 kamera të sigurisë dhe prej tyre sipas aktiviteteve të ditëve të fundit janë në finksion 57 kamera, numri i të cilave varion nga aktivitetet në terren.

Një tjetër pikë kyçe e sigurisë publike janë edhe rreziku nga qentë endacakë.

Zëdhënësi i Komunës,Sherifi, ka thënë se vitin e kaluar është iniciuar procedura e prokurimit për të trajtuar 750 qenë endacakë, mirëpo sipas tij, për shkak të ankesave ende nuk ka përfunduar procedura dhe rrjedhimisht ende nuk ka kontratë të nënshkruar për qentë endacakë.

Mirëpo, Sherifi thotë se është ndërtuar një qendër për trajtimin e qenve endacakë.

“Kemi ndërtuar Qendrën e Trajtimit të Përkohshëm të Qenve Endacakë, me kapacitet prej 40 kafazesh për qëndrim të përkohshëm 3 deri 7 ditor të qenve të drajtuar. Funksionalizimi i saj do të bëhet në momentin e përzgjedhjes së operatorit fitues për trajtim të qenve” – ka thënë Sherifi për KALLXO.com.

Ai thotë se gjithashtu janë vendosur gjithashtu 4 pika ushqyese për qentë endacak dhe sipas tij, po ashtu janë në pritje të përzgjedhjes së operatorëve për ndërtimin edhe të katër pikave të tjera ushqyese, si dhe furnizimin 6 mujor të tyre me ushqim dhe ujë të pijshëm. 

Një problem tjetër, thekson Sherifi, është edhe mungesa e psikologëve nëpër shkollat e komunës.

Ferizaji ka 39 shkolla fillore të mesme të ulëta, 8 të mesme të larta, 2 gjimnaze dhe 6 shkolla të mesme të larta. Ndërsa numri total i psikologëve në këtë komunë është 18. E që sipas Sherifit, nuk është numër i mjaftueshëm për nevojat që paraqiten në shkollat e komunës.

“Nevoja është edhe për të paktën 12 piskologë sipas logjikës që një piskolog të jetë për 2 shkolla” – ka thënë Sherifi.

Sipas raportit të fundit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) të komunës së Ferizajt, koordinator i të cilit Këshill është vetë Albion Sherifi, gjendja me sigurinë publike në komunën e Ferizajt kryesisht vlerësohet që të jetë e qetë.

Mbledhja e fundit e KKSB-së është mbajtur në dhjetor të 2022-ës, ndërsa sipas Sherifit, mbledhjet e KKSB-së janë të shpeshta.