Sfidat e sigurisë publike në Fushë-Kosovë

Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2021, kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha, derisa kandidonte për mandatin e radhës në krye të komunës, në ‘Debat Përnime’ kishte thënë se qytetarët ndër të tjerë, e bëjnë këtë komunë që të jetë e sigurtë.

Ai kishte thënë se synimi i tij është orientimi i të rinjëve kah sporti, kurse kishte deklaruar se kjo komunë nuk kishte pasur asnjë qytetar të saj që ka marrë pjesë në luftrat e huaja jashtë vendit.

“Se nuk kemi ndonjë ekstremizëm dhe epitet të tillë në komunën e Fushë Kosovës është se nuk kemi pasur asnjë të dënuar as të shkuar në luftrat në Lindje, as nuk kemi vrasje, me vite ka mbi 15 mijë të punësuar, është një vend shumë dinamik dhe ka shumë mundësi për gjërë të tilla por policia, komuna, qytetarët e bëjnë që të jetë një vend i sigurt. Fushë Kosova është vend i sigurt” – kishte deklaruar Berisha.

Më shumë se një vit prej që është ri-zgjedhur në krye të Fushë Kosovës, kjo komunë vlerëson se gjendja me sigurinë publike vazhdon të jetë e sigurt dhe e qetë.

Buxheti i Fushë Kosovës për vitin 2023 është 15 milionë e 93 mijë euro.

Zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli për KALLXO.com ka bërë të ditur edhe investimet për sigurinë publike gjatë këtij mandati të kryetarit Berisha.

“Për kamera të sigurisë kemi ndarë 500 mijë euro, për ndriqim publik e kemi të nënshkruar kontratën kornizë për tri vite në vlerë prej 83 mijë euro, si dhe për qentë endacakë po ashtu kontratë kornizë për tri vite në vlerë prej 71 mijë e 500 euro” – ka thënë Topalli.

Në tetor të vitit 2022, Komuna e Fushë Kosovës ka nënshkruar një kontratë për ‘Vendosjen e kamerave për të rritur nivelin e sigurisë nëpër vendbanimet dhe shkollat e Komunës’. Kontrata e ka vlerën e 77 mijë e 499 eurove.

Kurse në korrik të 2022-ës është nënshkruar një kontratë tjetër për ‘Vendosjen e ndriqimit publik’, në vlerë prej 47 mijë e 382 eurove.

Nga 12 shkolla në total sa ka Fushë Kosova, nëpër këto shkolla janë vetëm 4 psikologë.

Topalli ka thënë se për shkak të numrit të madh të nxënësve, ka mungesë të psikologëve.

“Në shkolla i kemi 4 psikolog. Në komunën tonë i kemi 3 shkolla të mesme, dhe 9 shkolla fillore të mesme të ulëta, një prej cilave ështe e komunitetit serb. Kemi mungesë të psikologëve për shkak të numrit të madh të nxënësve nëpër shkolla” – ka bërë të ditur Topalli.

Prej që është rizgjedhur Burim Berisha në pozitën e kryetarit, Fushë Kosova, sipas Topallit, nuk ka pasur asnjë rast të ekstremizmit, radikalizmit apo të terrorizimit.

“Nuk kemi pasur raste të tilla. Bashkë me Policinë e Kosovës dhe shoqërinë civile, kemi organizuar disa tryeza me nxënës të shkollave të mesme për këto tema”.

Topalli ka shtuar se kanë ndihmuar në vazhdimësi organizata rinore me subvencione. 

“Kemi ndarë me mijëra euro për organizatat joqeveritare në këtë rast për organizata rinore, nga subvencionet, këtë e bëjmë në vazhdimësi, nga viti në vit janë përfitues shumë organizata përmes projekteve ku edhe i realizojnë objektivat e veta. Fushë Kosova nuk ka qendër rinore, e ka një qendër por që nuk i plotëson krejt standartët, pasi është një objekt i vjetër, por kemi edhe hapësira të tjera përreth duke përfshirë edhe të shkollave të cilat janë të disponueshme, edhe në qytet edhe nëpër fshatra” – ka thënë Topalli.

Më 16 shkurt 2022, Komuna e Fushë Kosovës kishte hapur thirrje për mbështjetje financiare për projekte-propozimet në fushat e kutlurës, rinisë dhe sportit; organizatave jo-qeveritare, klubeve, festival e manifestime kulturore, muzikë, botime, kinematografi dhe indiviadëve-sportistëve.

Vlera totale e planfikuar për thirrje publike ishte në shumën prej 80 mijë euro. 

Shuma minimale e mbështjetjes është 500 euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt ëshë 5 mijë euro.

Sipas Topalli, vlerësimet dhe raportet e Policisë së Kosovës paraqesin një gjendje stabile në Fushë Kosovë.

“Vlerësimet e Komunës dhe Raportet e Policisë paraqesin një gjendje të mirë dhe stabile në përgjithësi ndonëse ka raste të kohëpaskohshme të problemeve por jo në një shkallë të lartë”- ka thënë Topalli për KALLXO.com.