Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Planfikimet buxhetore të Ramiz Lladrovcit në përmisimin e sigurinë publike

Buxheti i miratuar për vitin 2023 për Komunën e Drenasit është 18 milionë e 156 mijë euro. Nga kjo shifër, për ndriqim publik  janë ndarë 300 mijë euro.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2021, i pari i Drenasit ishtë përkujdesur që të mos japë shumë premtime, në lidhje me sigurinë publike.

Pak më shumë se një vit prej që është ri zgjedhur në këtë pozitë,  në një përgjigje për KALLXO.com, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se komuna e Drenasit 65% është e mbuluar me ndriqim publik, ndërsa në vitin 2023 ai pret që të arrijë deri në 90%.

 “Buxheti për këtë qëllim, ndriçim publik dhe mirëmbajtje, është 300.000 euro. Komuna e Drenasit me ndriçim publik është mbuluar me 65% e gjatë këtij viti presim të arrijmë 90%” – thotë Lladrovci.

Një tjetër problem në sigurinë publike janë edhe kamerat e sigurisë. Në lidhje me këtë, Lladrovci thotë se të gjitha insititucionet publike në komunën e Drenasit janë të pajisura me kamera.

“Të gjitha institucionet publike janë të pajisura me kamera të sigurisë, qendra e Drenasit, Komoranit si dhe të gjitha shkollat janë me kamera sigurie – ambientet e brendshme, hollët e tyre, hyrjet dhe një pjesë të rrugëve publike afër shkollave”- thotë ai.

Për vitin 2023 janë ndarë 5 mijë euro për kamera të sigurisë nga ana e Komunës së Drenasit. Sipas Lladrovcit, është kontratë kornizë tre vjeçare, ndërsa sipas tij, edhe në vitin 2022 shifra ka qenë e njejtë.

“Me qëllim që të luftohen dukuritë negative në shoqëri, komuna e Drenasit ka ndërmarr hapa konkret për këtë çështje, duke ndarë 300 mijë euro buxhet lidhur me sigurinë publike, për ndriçimin publik dhe mirëmbajtjen, kamera sigurie për hapësirat publike në monitorim të kamerave dhe instalimi e ndriçimit publik në vendet ku frekuentohen në masë të madhe nga qytetarët”- ka deklarua ai.

Për te diskutuar për gjendjen e sigurisë publike, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi është mbledhur për herë të fundit në dhjetor 2022.

Sipas Raportit, gjendja me sigurinë publike ishte vlerësuar të jetë e qetë dhe normale.

Një tjetër problem në Drenas është edhe mungesa e psikologëve nëpër shkolla. Lladrovci thotë se e kanë vetëm një dhe janë në proces vlerësimit të nevojave edhe për tjerët.

“Ne kemi vetëm psikologun i cili vepron në kuadër të Departamentit Komunal të Arsimit dhe mbulon nevojat e shkollave për shërbime të kësaj fushe. Jemi në proces të vlerësimit të nevojave për psikologë në nivel të komunës” – ka bërë të ditur Lladrovci

Me një problematik tjetër që përballen qytetarët e Drenasit është qentë endacak.

KALLXO.com kishte raportuar në vazhdimësi për sulmet që kishin ndodhur në Drenas nga qentë endacak.

Në vitin 2021, kjo Komunë kishte hapur tender për trajtimin e qenve endacak. 

Sipas tenderit të publikuar në “e-prokurimi“, trajtimi i tyre përfshin gjithë territorin e komunës së Drenasit. 

Vlera e parashikuar e kontratës është 5,000 euro.

Ndërkaq për zgjidhjen e kësaj çështje në janar 2023, kryetari Lladrovci thotë se ka marrëveshje me një fondacion zviecar për trajtimin e tyre.

“Komuna e Drenasit edhe këtë vit ka planifikuar buxhet për trajtimin e qenve endacakë, kemi marrëveshje me fondacionin zviceran Stray cocon”. – u shpreh ai.

Më 20 janar 2022, Komuna e Drenasit dhe Fonadacioni StrayCoco kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për trajtimin e qenve endacak.

Në kuadër të kësaj marrëveshje, të gjithë qytetarët mund të bashkëpunojnë me Fonacionin StrayCoco, përkatësisht përmes veterinarit në Drenas, Shaban Mehmeti për t’i trajtuar qenet endacak.

Në mars të vitit 2022, Komuna e Drenasit kishte mbajtur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Bashkësi ku kishte diskutuar trajtimin e qenve endacak. 

Në këtë mbledhje, drejtoresha e Shërbimeve Publike, Lumnije Krapi, informoi të pranishmit me marrëveshjen që komuna e Drenasit ka nënshkruar me StrayCoco për trajtimin e qenve endacak, dhe inicimin nga niveli qendror i një strategjie e cila do të përfshijë të gjitha komunat.

Ndërsa, anëtarët e KKSB-së kërkuan që marrëveshja e mirëkuptimit e arritur për trajtimin e qenve të bëhet sa më shumë publike në mënyrë që qytetarët të jenë në dijeni dhe të informojnë kompaninë në fjalë.