‘Mospublikimi i draft statutit të asociacionit ka ndikuar në shpërndarjen e dezinformatave’
Emir Abrashi nga organizata ‘D plus’, ka thënë se institucionet e Kosovës kanë një mungesë të theksuar të transparencës. Ai këtë deklaratë e bëri gjatë prezantimit të raportit “Vorbulla e rrenave’, pregatitur nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN.
Sipas tij jotransparenca i hap rrugë pastaj edhe spekulimeve.
“U përmend çështja e draft-statutit të asociacionit, ne deri më tani kemi pasur përhapje të dezinformatave për shkak të mungesës së transparencës nga ana e institucioneve. Kjo i hap rrugën krijimit të narrativave të cilat më pas ndikojnë tek marrëdhëniet ndëretnike”- tha Abrashi.
Tutje ai shtoi se është edhe një luftë për klikime e sipas tij kjo pastaj është vështirë e kontrollueshme.
“Kemi një luftë për klikime dhe kjo ndodh më së shumti në rrjetet sociale dhe është shumë vështirë t`i kontrollosh. U përfol që ka nevojë edhe për trajnim të gazetarëve dhe të trajtohet kontrollimi i fakteve. Ne kemi fillu një seri fushatash për lajme të rreme dhe për edukim medial”, tha ai.
“E kemi pa që shumica e të rinjve nuk e dinë as bazën e kontrollimit të fakteve apo edhe më shqetësuese që një pjesë e madhe e informacioneve nuk vijnë as nga mediat tradicionale. Këtu e kemi një ambient fertil për shpërndarje të dezinformatave. Janë dy gjëra që duhet me u fokosu, trajnimi i gazetarëve dhe dyta në punën e vazhdueshme me të rinjtë , që informacionet t`i kontrollojnë edhe në mediat tradicionale”- ka thënë Abrashi në panelin për raportin e dezinformimit “Vorbulla e Rrenave”.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN ka prezantuar sot Raportin e Deziformimit, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativat e tij.
Këtu mund ta lexoni raportin e plotë, ‘“Vorbulla e rrenave”.
I financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Raporti i Dezinformimit ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka tek qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.