Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Planifikimet e Komunës së Ilir Feratit për sigurinë publike

Komuna e udhëhequr nga Ilir Ferati ka vendosur që gjatë vitit 2023 të ndajë mijëra euro në fushat të cilat i kontribuojnë sigurisë publike së Istogut.

Edhe kur po garonte për herë të parë për kryetar komune, Ilir Ferati nuk u “kursye” së dhënuri premtime për çështjen e sigurisë publike. 

Premtimet e tij kryesisht ishin të drejtim të rritjes së numrit të psikologëve, monitorim të nxënësve, instalim të kamerave të sigurisë dhe shtrirjen e rrjetit të ndricimit publik. 

100 mijë euro është vlera e planifikuar për vitin 2023 në drejtim të projektit të ndertimit të ndriçimit publik dhe mirëmbajtjes. 

“Në vitin 2022 në projektin ndërtimi i ndriçimit publik dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik kanë qenë te planifikuara; në vitin 2022 ka qenë 105,000.00€ dhe në vitin 2023 shuma e planifikuar është 100,052.00€ që në total për dy vitet është 205,052.00 euro” – kanë thënë nga Komuna e Istogut. 

Të dhënat nga Komuna e Istogut tregojnë se afër 9 mijë euro kanë ndarë për rrjetin e kamerave të sigurisë në fshatin Osojan dhe në Lubozhdë.

Ndërkaq për mirëmbajtje dhe zgjerim të kamerave të qytetit është kontrata 2022-2023 në vlerë afër 14 mijë e 500 euro. 

Për mirëmbajtjen e kamerave në institucionet shkollore, kjo Komunë ka planifikuar kontratë në vlerën mbi 10 mijë euro. 

Ndërkaq, për mirëmbajtjen e kamerave të sigurisë për instituticonet shëndetësore janë planfikuar mbi 8 mijë euro. 

Në përgjithësi tri lotet për mirëmbajtje të sigurisë për vitin 2022-2023 janë planfikuar 32 mijë e 723 euro. 

Komuna e udhëhequr nga Ilir Ferati i LDK-së ka planfikuar që në vitin 2023 të shtrijë rrjetin e instalimit të kamerave të sigurisë në shkolla. 

Sipas zyrës për media, 15 mijë euro janë ndarë për gjimnazin Haxhi Zeka, Kopshtin e Fëmijëve në Banjë dhe Ndre Mjeda në Rakosh. 

Kjo shifër është rreth 6 mijë euro më e lartë se vitin e kaluar. 

Sipas të dhënave në platformën e-prokurim, më datën 7 dhjetor 2022, është nënshkruar kontrata për sistemin e instalimit të kamerave në territorin e komunës së Istogut.

Nga vlera e parashikuar 11,950 euro, kontrata iu është dhënë një operatori në vlerë 8,790 euro. Kohëzgjatja e kësaj kontrate ka qenë për dy muaj.

Të dhënat nga e-prokurimi shfaqin edhe një tender të datës 23 dhjetor 2022, të ndarë në dy lote për ndricim publik. 

Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 90 mijë euro. Kjo përfshinë ndërtimin e ndricimit publik në Trubuhoc, Lagja Qetaj, Osmanaj, dhe në Vrellë- Studenicë dhe Shkollë. 

Gjatë fushatës, si premtim të parë në këtë drejtim ishte krjimi i platformës për konsultim online me psikologun dhe sociologun, për qytetarët që kanë nevojë për ta.

Por për këtë projekt fillimisht iu duhen të rekrutojnë psikolog dhe sociologë. 

Akutalisht Komuna e Istogut ka të angazhuar pesë psikolog. 

Në këtë komunë janë 11 shkolla amë dhe 2 shkolla të mesme. 

Përkundër nevojave, në vitin 2022 kjo Komunë nuk ka të angazhuar asnjë psikolog. Andaj realizimi i këtij projekti është shtyerë për vitin 2023.  

Sipas zyrës për media, kanë nevojë për 8 psikolog në mënyrë të kenë të gjitha shkollat nga një psikolog, që gjithsej bëjnë 13.

Në anën tjetër, sikurse komunat tjera, edhe Istogu përballet me problemin e qenve endacak.

Por në këtë vit, ende nuk kanë kontratë valide për trajtimin e qenve endacak.

“Për vitin 2022 Komuna e Istogut ka pasur kontratë valide për trajtimin e qenve endacak dhe kompania e cila ka pasur kontratë me parë ka krijuar strehimore për trajtimin e tyre, por tash në vitin 2023 kontrata është skaduar dhe po presim për procedura të prokurimit” – kanë thënë nga Komuna e Istogut.

Për të biseduar për cështjen e sigurisë në këtë komunë, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi ka mbajtur mbledhjen e fundit me radhë më 23 mars 2023.

Sipas procesverbalit të kësaj mbledhje, komandanti i stacionit Policor në Istog, Enver Gashi gjendjen e sigurisë̈ në komunën e Istogut e vlerësoi të qetë dhe stabile.