Foto: Pierre Crom/Getty Images

Save the Children: 800 mijë fëmijë në mesin e 2 milionë refugjatëve nga Ukraina

Agjencia ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve, Save dhe Children, ka thënë se vlerësohet që 800 mijë fëmijë janë në mesin e dy milionë personave që kanë ikur nga Ukraina, prej nisjes së pushtimit rus.

Shumica prej tyre janë duke bërë rrugën pa u shoqëruar nga askush, ka paralajmëruar Agjencia.

“Prindërit janë duke zbatuar masat më zemërthyese për të mbrojtur fëmijët e tyre. Kjo përfshin largimin e fëmijëve të tyre me fqinjët dhe miqtë nga Ukraina, derisa ata qëndrojnë në Ukrainë për të mbrojtur shtëpitë”, ka thënë Irina Saghoyan nga Save the Children.

Më shumë se gjysma e refugjatëve që largohen nga Ukraina janë duke shkuar në Poloni dhe më pas në Hungari e Sllovaki.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL