Sabri Musiqi shpjegon pse Kosova u përball me reduktime të rrymës në mes të verës

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të KOSTT-it, Sabri Musiqi, ne emisionin “Kallxo Përnime” ka shpjeguar pse Kosova gjatë muajit gusht u përball me reduktime të energjisë elektrike.

Musiqi ka thënë se reduktimet e rrymës erdhën për shkak se konsumi në Kosovë ishte shumë më i lartë se energjia në disponim që sigurohej prej prodhimit vendor dhe furnizuesit publik KESCO (Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike).

Ai ka thënë se është plotësisht e pazakontë që në gusht të aplikohen reduktimet e rrymës.

Tutje Sabri Musiqi, u.d. i drejtorit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), ka thënë se reduktimet kanë qenë i vetmi mjet për të mbuluar kërkesat e vendit.

“Në situatën e tillë e kemi pasë të pamundur që ne si KOSTT të bëjmë kompensimin e mungesave të paraqitura për mbulimin  e konsumit nacional dhe i vetmi mjet i cili na mbeti në dispozicion ka qenë fillimi i reduktimeve të konsumit për vlerën e cila ka munguar që ta mbulojë tërë kërkesën e vendit”-ka thënë Musiqi.

Musiqi ka thënë se reduktimet e konsumit në Kosovë nuk janë aplikuar afërsisht që nga viti 2007.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka shpjeguar obligimet e KOSTT-it.

Sipas tij, KOSTT ka obligim të sigurojë balancimin e sistemit në kohë reale dhe nuk e ka rolin e furnizimit me energji elektrike.

“KOSTT në situata të ndodhisë së incidenteve, kur ndonjë njësi gjeneruese bie nga sistemi atëherë KOSTT  e ka për obligim dhe e ka mundësinë që me angazhu energji balancuese 4 orë në raste specifike deri në 8 orë por pas 8 orëve pala e cila ka dështuar nga plani i deklaruar prej tyre atëherë është i obliguar që të ndërmarr hapat për kthimin e normalitetit në sistem”- ka thënë u.d. i drejtorit të KOSTT-it.

Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, të martën në emisionin “Kallxo Përnime” ka deklaruar se kriza energjetike është e përgjithshme pasi, sipas tij, çmimet e energjisë janë duke u rritur në të gjitha tregjet evropiane.