Foto: Marco Rubio / facebook

Rubio thotë se Kuba përbën kërcënim për SHBA-në teksa Havana e akuzon për “gënjeshtra”

Kuba përbën “kërcënim për sigurinë kombëtare” të SHBA-së dhe gjasat për marrëveshje paqësore “nuk janë të mëdha”, ka deklaruar sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka raportuar të premten (22.05.2026) BBC.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi SHBA-ja akuzoi ish-presidentin e Kubës, Raul Castro, për vrasje për rrëzimin e dy aeroplanëve më 1996, që rezultoi me vrasjen e shtetasve amerikanë.

Rubio ka theksuar se preferenca e Uashingtonit është arritja e “një zgjidhjeje diplomatike”, por ka paralajmëruar se presidenti Donald Trump e ka të drejtën dhe detyrim për mbrojtjen e vendit nga çdo kërcënim.

Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez, e ka akuzuar Rubion për “gënjeshtra” dhe ka deklaruar se ishulli nuk ka përbërë kurrë kërcënim për SHBA-në.

Rubio ka deklaruar para gazetarëve se diplomacia “mbetet preferenca jonë me Kubën”, por shtoi: “Thjesht, po tregohem i sinqertë me ju, e dini, gjasat që kjo të ndodhë, duke pasur parasysh se me kë kemi të bëjmë tani, nuk janë të  shumta”. Ai gjithashtu ka akuzuar Kubën se është “një nga sponsorët kryesorë të terrorizmit në krejt rajonin”, gjë që Rodríguez e ka mohuar forcërisht në një postim në X.

Ministri i Jashtëm kuban ka kritikuar Rubion për përpjekjen për të “nxitur agresion ushtarak” dhe ka akuzuar qeverinë amerikane se po sulmon “pa mëshirë dhe sistematikisht” vendin e tij.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com