Rrustem Mustafa: Kemi pasë nevojë m’e paraqitë UÇK-në sa më të rregullt

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin e ish-bashkëluftëtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Gjatë seancës së sotme, komandant “Remi” u është përgjigjur pyetjeve të prokurores Clare Lawson.

Fillimisht ai është pyetur rreth një dokumenti sipas të cilit, sipas prokurores, përcaktoheshin udhëzime se si të veprohet me gazetarët, vëzhguesit dhe diplomatët.

Rrustem Mustafa tha se mirësjellja me gazetarë dhe vëzhgues është diskutuar brenda radhëve të UÇK-së, por ky dokument nuk i kujtohej.

Sipas prokurores, paragrafi dy i atij dokumenti kishte të bënte me vëzhguesit, ku thuhej se Shtabi i Përgjithshëm caktonte personin për informim të ndërsjellë.

Dëshmitari Mustafa tha se për Zonën Operative të Llapit, zyrtarët për informim i kishte zgjedhur ai e jo Shtabi i Përgjithshëm.

“E kam caktuar unë. Ka pasur nga zyra për informim publik 3 ose 4 persona. Kanë qenë Ismet Cakiqi, Lirak Çelaj, Hysen Fazliu dhe eprorët e lartë të zonës në përgjithësi, zëvendësi im dhe komandantët e brigadave- theksoi dëshmitari.

Tutje, Rrustem Mustafa tregoi se Valon Murati ka qenë i caktuar si kryetar i sektorit për moral dhe publik brenda UÇK-së, ndërsa Sejdi Rama punonte në sektorin për informim.

Lidhur me sektorin e informimit, dëshmitari Mustafa deklaroi se punën me media dhe televizion ky sektor e ka bërë me miratimin e tij dhe se ata kanë qenë të autorizuar që të nxjerrin deklarata në emër të Zonës.

Tutje, komandant “Remi” ka mohuar që të ketë pasur një sektor operacionesh brenda strukturës së UÇK-së brenda Zonës Operative të Llapit.

Ai shpjegoi se për çështje operative ishte përgjegjës vetë ai, zëvendësi i tij Kadri Mustafa dhe shefi i shtabit Nuredin Ibishi.

Ndërkaq, lidhur me Muhamet Latifin deklaroi që i njëjti ka qenë i caktuar për sektorin e mbrojtjes civile. Sipas tij, ky sektor kishte në përgjegjësi organizimin e njerëzve dhe njësive jashtë vijës frontale.

Kur dëshmitari Mustafa u pyet nëse kanë pasur udhëzim nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për themelim të njësitit të Policisë Ushtarake, ai theksoi se nuk i kujtohen udhëzimet “mirëpo me ardhjen e Nuredin Ibishit, që kishte njohje pedagogjike, dhe kontaktet që kishte ai, kemi vendosë me marrë një numër të konsiderueshëm të policëve të larguar nga puna me forcë dhe punët e rëndësishme të policëve t’i kryenin ata”.

Ai shtoi tutje se pavarësisht udhëzimeve, krijimin e Policisë Ushtarake e kishin filluar më herët.

Prokurorja Lawson e pyeti dëshmitarin Mustafa lidhur me nënshkrimin në faqen e fundit të një dokumenti. Për nënshkrimin dëshmitari deklaroi se është i tij.

Ky dokument, sipas dëshmitarit, kishte për qëllim që njerëzve të vendosur nëpër sektorë t’ua kujtonte detyrat dhe obligimet.

Dëshmitari deklaroi se e pranon këtë dokument si të tij dhe stafit të tij, që sipas tij kanë mundur të jenë si rregulla nga burime që kanë mundur t’i kenë.

“I kishin përmbledhë, janë miratuar nga ana ime, ne i kemi shpërnda edhe njerëzve për me u dokë më të besueshëm. Kemi pasë nevojë me paraqitë UÇK-në sa më të rregullt” – shtoi tutje dëshmitari.

Dëshmitari ka treguar edhe për kohën e krijimit të brigadave në Zonën Operative të Llapit dhe kush i ka drejtuar ato.

Për komandantët e brigadave dëshmitari tha se i kishte caktuar vetë ai dhe vendndodhja e tyre ndryshonte shpesh.

Kurse lidhur me njësitin BIA, Mustafa tha se ky emër i këtij njësiti kishte përmbledhje të tri emrave të dëshmorëve Bahri, Ilir dhe Agron, i cili ishte njësit i veçantë në atë Zonë e që udhëhiqej nga Salih Mustafa.

Dëshmitari Rrustem Mustafa do ta vazhdojë dëshminë edhe nesër.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me gjykimin e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit mund t’i lexoni në këtë LINK.