Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Rohde: Fatkeqësisht nuk po shoh asnjë reagim nga Lista Serbe për të dënuar dhunën ndaj gazetarëve

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas sulmit të djeshëm ndaj gazetarëve në Leposaviq.

Rohde ka thënë se “fatkeqësisht” nuk po sheh ndonjë reagim nga përfaqësuesit e Listës Serbe për ta dënuar këtë akt dhune.

“Brutaliteti i kësaj skene është tronditës. Ku duhet të përfundojë kjo? Shumë e kanë dënuar këtë akt të papranueshëm dhune, por fatkeqësisht deri më tani nuk shoh asnjë reagim nga përfaqësuesit e SL-së mes tyre. Pse? Të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre për të de-eskaluar situatën” – ka shkruar ambasadori gjerman.

Nëntë gazetarë në Leposaviq janë sulmuar dhe se disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Sipas Policisë, ekipeve të mediave iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit, thuhet se iu është grabitur një telefon celular.