Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

Raportuesja Bakoyannis: Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Europës

Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Europës (KE), Dora Bakoyannis, e cila ka dorëzuar raportin për anëtarësimin e Kosovës në KE, ka kërkuar para delegatëve në seancën e Asamblesë Parlamentare të votohet pro që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare.

“Është opinioni im që Asambleja Parlamentare duhet ta ftojë Kosovën të bëhet pjesë e Këshillit të Europës”- tha Bakoyannis para delegatëve në Asamblenë Parlamentare.

Bakoyannis tha se nuk mund të ketë asnjë parakusht që këto vende do të mbështesnin një raport pozitiv, për të njëjtën arsye se kundërshtimi i tyre nuk ka të bëjë asgjë me kriterin e pranimit që raporti im ekzaminon.

“E përsëris sërish: raporti nuk mban qëndrim në shtetësinë. Kjo nuk është kërkuar nga Komiteti i Ministrave”- tha Bakoyannis.

Ajo tha që nëse do të obligohej nga Komiteti i Ministrave që të thosha opinionin tim mbi shtetësinë, nëse Komiteti i Ministrave do të kërkonte mendimin tim apo opinionin tonë mbi shtetësinë, kurrë nuk do ta merrja këtë raport, dhe “do të rreshtohesha me qëndrimin aktual të Greqisë”.

Edhe Azadeh Rohan, raportuese e Suedisë për opinionin për Kosovën, kërkoi që të votohet raporti për anëtarësimin e Kosovës.

“Kosova ka pëmbushur kriterin për të cilin ishte insistuar më së shumti, zbatimin e aktgjykimit për pronat e Manastirit të Deçanit”- tha ajo në Asamble.

E Iulian Bulai, përfaqësuesi nga Rumania në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, u shpreh empatik, duke thënë që Kosova duhet të bëhet anëtare për vuajtjet që ka kaluar në luftë.

“Kjo është një ditë historike për të drejtën liberale. Të marrësh një vendim të tillë është shumë i rëndësishëm për një vend që ka kaluar vuajtje të luftës. Kosova është gati dhe e meriton të hyjë në Këshillin e Europës. Ne nuk duhet të shkojmë në rrugën e njëjtë që të krijojmë një Republika Srpska në Kosovë”- tha Bulai.

Raporti i Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës pa asnjë parakusht shtesë.

Nëse 2/3 e delegatëve të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci më 27 mars, kjo do i hapë rrugë votimit të fundit nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.

Në hapin e parë, raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.

Kundër votuan dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.

Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim lidhur me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.